Emërimet, Bylykbashi në vend të Imamit, Peka, tek rendi
Dy nga këshilltarët e tij Kryeministri Sali Berisha ka vendosur t’i emërojë në detyra të reja. Njërit prej tyre, juristit Oread Bylykbashi, ka vendosur t’i besojë detyrën e shefit të kabinetit të tij, ndërsa Avenir Pekën do ta emërojë zëvendësministër të Brendshëm. Burime pranë Kryeministrit Berisha bëjnë të ditur se shumë shpejt këto lëvizje do të bëhen zyrtare. Z. Bylykbashi prej kohësh është këshilltar për çështjet juridike i Kryeministrit, ndërkohë që tani e tutje zëvendëson Arben Imamin si shef i kabinetit të z. Berisha. Ai njihet si ndër ekspertët më të mirë ligjorë në vend. Kurse z. Peka aktualisht është këshilltar për çështjet e sigurisë kombëtare, ndërkohë që në Ministrinë e Brendshme do të zëvendësojë ish-zëvendësministrin Gent Strazimiri, i cili e la këtë detyrë pas marrjes së mandatit të deputetit. Para disa kohësh, Kryeministri Sali Berisha plotësoi stafin e këshilltarëve edhe me dy prej aleatëve të tij, konkretisht, aleancistin Neritan Ceka dhe agrarin Lufter Xhuveli. Ceka është këshilltar për kulturën, kurse Xhuveli për bujqësinë.