KE, Tajani-Berishës: Debati të zhvillohet në Kuvend
Zv.presidenti i KE-së, Tajani, kërkoi dje dialog në Kuvend, ndërkohë që shprehu mbështetjen e këtij institucioni për heqjen e vizave të shqiptarëve dhe anëtarësimin në BE. Z. Tajani gjatë takimit me Kryeministrin Berisha e cilësoi ligjin antimafia dhe planveprimin e qeverisë kundër korrupsionit si shumë të rëndësishëm
Komisioni Evropian insiston sërish për një dialog politik në sallën e Kuvendit mes mazhorancës dhe opozitës së majtë. Vetëm në këtë mënyrë KE gjykon se do të mund të zgjidhet ngërçi i krijuar nga bojkoti i PS-së, së cilës i kujton se duhet të zërë vendet në Parlament. Kjo iu pohua dje Kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit që zhvilloi me zv.presidentin e Komisionit Evropian dhe komisionerin për Transportin, zotin Antonio Tajani. Zyrtari i KE-së në mënyrë të prerë pohoi: “Debati politik duhet të zhvillohet në Parlament”. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi zv.presidentin Tajani dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Komisionit Evropian në përkrahjen e reformave të ndërmarra në vend gjatë këtyre viteve, në kuadër të procesit të integrimit, si dhe kontributin për procesin e liberalizimit të vizave dhe punën voluminoze që KE po bën në hartimin e pyetësorit, që do t’i paraqitet Shqipërisë për hapat e saj të mëtejshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Zv.presidenti Tajani i shprehu Kryeministrit Berisha përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe të popujve të Evropës kundrejt Shqipërisë dhe popullit shqiptar në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të gjitha proceset e lidhura me të, siç është liberalizimi i vizave. Në këtë kontekst zv.presidenti Tajani theksoi se planveprimi dhe reformat e qeverisë në luftën kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme. Ligji “Antimafia” i sapomiratuar nga qeveria shqiptare, si dhe reformat dhe përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar të çdo lloji, janë shumë të rëndësishme. Kryeministri Berisha i bëri me dije zv.presidentit Tajani reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si heqja e licencave dhe lejeve që përbënin burim korrupsioni; thjeshtësimi i procedurave administrative dhe vendosja e procedurave dixhitale, si: 100 për qind prokurime elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve përmes procedurës “One Stop Shop”, E-taksa, E-dogana, reduktimi i shpenzimeve abuzive administrative, futja e procedurave “heshtja është miratim” etj. Si rezultat i këtyre masave dhe i luftës me tolerancë zero ndaj korrupsionit, qeveria shqiptare arriti të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 23 për qind në vit dhe të ulë shpenzimet operative nga 3 për qind në 2 për qind të GDP-së. Vetëm nga heqja e privilegjeve të pushtetarëve, si makina e shoferë etj., shpenzimet operative të qeverisë shkurtohen me 30 për qind. Më tej, Kryeministri Berisha i bëri me dije masat e marra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e shpejtë të vendit, si ato në fushën e financave, ku Kryeministri Berisha u ndal tek taksa e sheshtë 10 për qind, ashtu dhe ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme në të gjithë vendin, qoftë arterie të mëdha si Rruga e Kombit, dhe rrugët që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, por edhe rindërtimi dhe asfaltimi i 6 mijë kilometrave rrugë gjatë mandatit të kaluar. Ndërkohë që në katër vitet e këtij mandati, qeveria parashikon të shtrojë rreth 7 mijë kilometra rrugë. Shqipëria në moshën dixhitale është prioritet tjetër madhor i qeverisë shqiptare. Një ndër fushat më të suksesshme të punës së qeverisë gjatë kësaj periudhe ka qenë lufta ndaj krimit ordiner dhe të organizuar, çka bëri të mundur shkatërrimin e 206 organizatave të rrezikshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të 1000 bosëve dhe anëtarëve të tyre. Qeveria është fokusuar tashmë në luftën kundër krimit ekonomik dhe sapo ka miratuar për këtë qëllim ligjin “Antimafia”. Zv.presidenti Tajani ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha se ligji “Antimafia” i miratuar nga qeveria shqiptare është shumë i rëndësishëm.
Tajani-Topalli: Shqipëria e meriton hyrjen në BE
Shqipëria dhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë meritojnë një hyrje të shpejtë në Bashkimin Evropian. Këtë e pohoi zv.presidenti i Komisionit Evropian dhe komisioneri i Transportit, Antonio Tajani, i cili ka vizituar dje Shqipërinë. Në një takim me të rinjtë e forumeve të partive politike evropiane, ku ka qenë e pranishme edhe kryeparlamentarja Topalli, Tajani ka thënë se politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk duhet të quhet e tillë. Ajo duhet të quhet politika e ribashkimit, pasi nuk është faji i vendeve si Shqipëria apo shteteve të tjera evropiane, të cilat vuajtën regjimet diktatoriale komuniste. Ai theksoi se njerëzit që jetojnë në Shqipëri janë evropianë. Tajani theksoi se Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojë këto vende të plotësojnë kriteret, ashtu siç u impenjuan për të integruar Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë etj., “pra t’u jepet një dorë pasi nuk ishte faji i tyre që u vonuan, ata nuk kishin mundësi të integroheshin, pasi i pengoi diktatura kriminale që të ishin pjesë e Evropës”.