KE: Të luftohet krimi i organizuar
Luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, sforcimi i kapaciteteve për riintegrim dhe vazhdimi i përmirësimit të sigurisë së regjistrave dhe dokumentacionit civil ishin temat kryesore të dialogut politik, të mbajtur të martën në Prishtinë ndërmjet Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.
Diskutimet janë duke u zhvilluar në kuadër të dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit për drejtësi, liri dhe siguri dhe do të vazhdojnë deri të enjten.
Në takimin treditor me zyrtarët e KE-së nga Brukseli do të theksohen edhe çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, të drejtat fundamentale të njeriut dhe mbrojtjen e personave që i takojnë minoriteteve. Në fokus do të jenë çështjet, të cilat në Raportin e Progresit të KE për vitin 2010 janë definuar si çështje më relevante.
Renzo Daviddi, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, tha se për t’u afruar me BE-në, duhet punë dhe përkushtim nga ana e Qeverisë, por jo vetëm.
“Afrimi me BE-në është një proces, i cili kërkon punë dhe përkushtim të qeverisë dhe administratës, si dhe të individëve. Ne jemi këtu për të ndihmuar, mirëpo është me rëndësi që Kosova të kryejë pjesën e saj të punës”, ka thënë ai.
Komisioni Evropian theksoi sfidat që e presin Kosovën: përmirësime të mëdha në një numër të fushave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, riintegrimi i personave të riatdhesuar, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe funksionimi i gjyqësorit.
KE kërkon përmirësime edhe në lidhje me fuqizimin e lirisë së shprehjes, garantimin e të drejtave pronësore dhe zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur.
Takimi i dialogut PSA për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë është organizuar nga KE dhe Ministria e Integrimeve Evropiane.