Serwer: Serbia e do veriun
Qëllim i Serbisë në bisedime me Kosovën është ndarja e veriut, por kjo është një ide, të cilës asnjëherë nuk do t’i vijë koha e realizimit, ka thënë Daniel Serwer, përfaqësues i Institutit për Paqe me seli në Washington.
Eksperti i mirënjohur amerikan, Daniel Serwer, tha se në dialogun e ardhshëm, Kosova duhet të kërkojë njohjen e pavarësisë nga Serbia.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Serwer ka thënë se prania amerikane në bisedime është vendimtare, pavarësisht nga lidershipi evropian.
Raporti i Dick Martyt, sipas Serwerit, ka dëmtuar imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës.
”E vetmja kundërpërgjigje, në këtë rast, është hetimi i plotë dhe i besueshëm. Mendoj se zoti Marty ka bërë gabim që në mënyrë të përsëritur në raportin e tij fajëson njerëz dhe institucione të caktuara, përderisa nuk ka zhvilluar hetime të duhura”, ka thënë ai.