Negociata për tabela e letërnjoftime
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka thënë se pala serbe është e gatshme që më shpejt t’i fillojë negociatat me Prishtinën rreth çështjeve të hapura, siç janë tabelat e regjistrimit dhe letërnjoftimet.
Gjatë një interviste dhënë revistës “The Plain Dealer”, përderisa ka qëndruar në SHBA, Dacic ka komentuar bisedimet me administratën amerikane, duke thënë se ka dëshirë nga të dyja palët për përparimin e marrëdhënieve, por, sipas tij, ka mosmarrëveshje kur është çështja te Kosova.
Në pyetjen rreth raportit të Dick Martyt, Dacic është përgjigjur se zyrtarët amerikanë angazhohen për hetim deri në fund rreth kësaj çështjeje.
“Dallimi është se kush duhet të zbatojë hetimin - derisa amerikanët vlerësojnë se këtë duhet ta bëjë EULEX-i, për Serbinë i pranueshëm është vetëm hetimi i pavarur dhe objektiv”, ka theksuar Dacic.