E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE dhe SHBA: Ligji mbi SHISH, jemi të shqetësuar!

Pas zyrtarëve amerikanë reagon edhe kreu i KE-së, Lohan

Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë shqetësimet për ligjin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Amendamentet janë hartuar nga qeveria dhe pritet të miratohen në Kuvend, por diplomatë të huaj, të cituar një ditë më parë nga “Top Channel”, shprehën kritika dhe shqetësim se me këto ndryshime, shërbimi sekret shqiptar vihej në varësi politike të Kryeministrit, duke shkelur parimet e një shoqërie demokratike. Në reagimin zyrtar, Komisioni Europian ka nënvizuar standardet europiane që synon të arrijë Shqipëria, por edhe kushtëzimin e integrimit europian me respektimin e këtyre standardeve. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar përveç aspiratave europiane dhe detyrimet euroatlantike të Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s. Duke iu përgjigjur një kërkese të “Top Channel”, ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i komentoi kështu ndryshimet e fundit në ligjin për SHISH: “Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Europian merr në analizë edhe çështje të tilla si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij”. Po për “Top Channel”, reagoi dy ditë më parë edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Zëdhënësi i ambasadës bëri këtë koment: “Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euroatlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s”. Partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar nga ndryshimet. Me variantin e ri, SHISH bëhet kompetent për të mbledhur informacion për njohjen, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave dhe më kryesorja, për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike. Varianti i ri i ligjit thekson edhe më shumë varësinë e agjencisë nga Kryeministri. Jo se SHISH deri më sot ka qenë i pavarur nga Kryeministri, por me ligjin e ri, kreu i qeverisë mund t’i kërkojë drejtorit të SHISH-it informacione dhe raportime në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e agjencisë. Po ashtu, për të mbledhur informacion nga agjencitë e huaja partnere, shërbimit i duhet miratimi i Kryeministrit. Partnerët ndërkombëtarë pyesin se ku të çon kjo? Ata mendojnë se ndryshimet rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën një ndikim të pastër politik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›