E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzaminohen 9 kufoma, mes tyre një femër

Mjekësia ligjore: Vrasja e tyre, përafërsisht 30 vjet më parë. Plumbat, të kalibrit të vogël
Mjekësia ligjore ka nisur dje pasdite me rindërtimin e skeleteve të gjetura, ndërsa grupi hetimor ka vijuar me gërmimet në zonë për të kontrolluar për eshtra të tjera. Ende nuk mund të jepet një version zyrtar se çfarë periudhe i përkasin këto kufoma, por nga veprimet e para rezulton se mes tyre ka edhe femra. Një fakt tjetër i vërtetuar nga mjekësia ligjore ka të bëjë me vrasjen e këtyre personave me plumb pas koke, me armë që i përkasin kalibrit të vogël. Deri në orët e vona të mbrëmjes, mjekësia ligjore ka ekzaminuar nëntë kufoma, mes të cilave një është e seksit femër. Gjatë një komunikimi, drejtori i mjekësisë ligjore, Besim Ymaj, ka deklaruar se ditën e djeshme është ngritur grupi i punës për dokumentimin e plotë të rastit të gjetjes së kufomave në zonën e Qesarakut. Ai ka deklaruar se grupi i punës përbëhet nga prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, ekspertë kriminalistike dhe ekspertë të mjekësisë ligjore. “Ditën e sotme, specialistët kanë filluar me rindërtimin e skeleteve dhe bashkimin e pjesëve të gjetura. Kjo bëhet fillimisht për të nxjerrë numrin e saktë të kufomave. Eshtrat e gjetura janë të mbledhura bashkë dhe duhet vlerësuar nëse të gjitha përputhen me skeletet e plota”, ka shpjeguar Besim Ymaj. Më tej, ai deklaroi se nëse do ketë eshtra që nuk përputhen, lind nevoja për të verifikuar nëse ka pasur një numër më të madh me të varrosur në atë zonë.
Nga ana tjetër, specialistët e mjekësisë ligjore shpjeguan se kjo është faza e parë e hetimeve. Ditën e djeshme janë ekzaminuar nëntë kufoma dhe rezulton se koha e vrasjes së tyre është rreth 30 vjet më parë. Burimet nga grupi hetimor dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore shpjegojnë se ende nuk mund të jepet numri i saktë i femrave të vrara, por kjo mund të vërtetohet lehtë brenda pak ditësh. Gjithashtu, vihet re se në kafkat e tyre ka nga një plumb pas koke. Plumbat janë të armëve të kalibrit të vogël dhe do të dërgohen për ekspertizë në laboratorin e kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme.
Gjatë ditës së djeshme, një grup hetimor ka shkuar sërish në vendin ku u gjetën eshtrat e të ekzekutuarve. Atje janë kryer sërish matje dhe rrethime të vendit të ngjarjes, duke mos lënë mënjanë edhe kërkime të tjera. Megjithatë, përgjigjet zyrtare për këtë aspekt pritet të dalin gjatë ditëve në vijim. Eshtrat janë gjetur nga familjarë, në një luginë të Komunës Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv Tiranë. Në këqyrjen e vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç eshtrave të gjetura nga familjarët, më datë 08 shkurt 2010 u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Gjithashtu, po vazhdon puna për kryerjen e të gjitha ekzaminimeve kriminalistike, mjekoligjore dhe antropologjike, për identifikimin e tyre. Nga deklarimet paraprake bëhet fjalë për skeletet e 19 personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e regjimit komunist. Eshtrat janë gjetur në varre të shpërndarë në një sipërfaqe mbi 70 metrash katrorë. Mënyra e vendosjes së varreve vërteton në mënyrë hipotetike se periudha e ekzekutimeve ka qenë e shtrirë në kohë, pasi nuk ka një varr të përbashkët, por varre të ndara me një apo dy skelete njerëzish, në afërsi prej katër apo pesë metra me njëri-tjetrin. Eshtrat nuk janë nxjerrë nga varret prej ekspertëve dhe në mënyrë profesionale, por janë futur në thasë nga personi që i ka zbuluar dhe më pas iu dërguan mjekësisë ligjore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›