Matura, korrigjime të dyfishta testesh, nuk ka më rivlerësime
Kush ngel në provimet e detyruara, pranohet tek ato me zgjedhje
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, bëri të ditura ndryshimet që ka pësuar Matura Shtetërore 2010 gjatë punimeve të Konferencës Kombëtare, “Matura Shtetërore drejt standardeve europiane” organizuar nga MASH-i në ambientet e Shkollës së Mesme Artistike Kombëtare “Jordan Misja”, në kryeqytet.
Ndryshimi kryesor lidhet me korrigjimin e testeve që këtë vit do të jetë i dyfishtë. Ndërsa nuk do të ketë më rivlerësime të fletëve të provimit, që nënkupton se nuk mund të ketë ndryshime të rezultatit sikundër ndodhi një vit më parë.
“MASH-i garanton administrimin dhe vlerësimin korrekt të MSH. Këtë vit, do të zbatohet korrigjimi i dyfishtë dhe korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë që do të trajnohen dhe vlerësohen edhe me kredite”, deklaroi kreu i Arsimit, Tafaj. Ai shtoi se për të rritur më shumë cilësinë e administrimit të provimeve të MSH, provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqendruara në çdo qark të vendit. Kjo edhe për shkak të faktit se në zonat rurale, rezultatet e të rinjve janë më të ulëta se në qendrat urbane. Një tjetër lëshim është bërë për të rinjtë e kësaj mature. Ai lidhet me kalueshmërinë e provimeve të detyruara, Matematikës ose Letërsisë. Ministri Tafaj tha se “rezultati negativ i njërit prej provimeve të MSH nuk do të penalizojë hyrjen e maturantëve në provimet me zgjedhje”. Pra nëse një maturant vlerësohet me notë jokaluese në provimin e detyruar të Matematikës apo Letërsisë, sërish ai ka të drejtë që të hyjë në provimin e lëndëve me zgjedhje të vlefshme për garën universitare. Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me fazat e regjistrimit për në institucionet e arsimit të lartë të të rinjve. Për pranimet sivjetshme do të ketë vetëm një fazë regjistrimi e për rrjedhim do të plotësohet vetëm Formulari A2.
“Këtë vit, aplikimi i Formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të shmangur tejzgjatjen e procesit të MSH, nuk do të këtë më Formular A3 dhe A4”, shpjegoi Tafaj. Më tej, ministri i Arsimit dhe Shkencës sqaroi se, Formulari A2 do të plotësohet nga maturantët, pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të Maturës. Këtë vit, procesi i provimeve të MSH, ato të detyrueshme dhe me zgjedhje, do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010.
Duke e cilësuar përgatitjen për provimet e MSH-së detyrë parësore të shkollës, ministri Tafaj garantoi se provimet e MSH do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme.Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Gjithashtu, Këshillimi i Karrierës për maturantët këtë vit do të marrë një bazë më të gjerë, duke përfshirë, jo vetëm fushën sensibilizuese në mediat e shkruara dhe elektronike, por edhe organizimin e Ditëve të Hapura për Këshillimin e Karrierës, në të gjitha qarqet dhe prefekturat e vendit.
Gjatë konferencës u referua nga të pranishmit edhe në lidhje me rritjen e kapaciteteve të AVA-s për administrimin e Maturës Shtetërore, tendencat dhe dukuritë në zbatimin e parimit meritë preferencë dhe si i ka shërbyer MSH, rritjes së cilësisë së Arsimit të Lartë
Në fjalën e tij, Tafaj e cilësoi implementimin e Maturës Shtetërore një standard modern të arsimit shqiptar dhe një vendim të mirëpritur nga vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar. “Matura Shtetërore ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të shkollës së mesme dhe do të vazhdojë të ndikojë duke e çuar atë drejt standardeve europiane”, tha Tafaj.Sipas tij, implementimi i “Sistemit MeP” (Meritë Preferencë) në pranimet në universitetet publike vendosi një standard të ri realist dhe transparent, të mbështetur në meritën dhe preferencën e çdo maturanti. Tafaj theksoi se Matura Shtetërore ka realizuar deri tani një përputhje shumë të mirë midis ofertës dhe kërkesës në tregun e maturës. Përmirësimi i cilësisë së kandidatëve që preferojnë programe studimi të caktuara, rrit reputacionin e universiteteve.
Në përfundim të konferencës u zhvilluan edhe dy tavolina të rrumbullakëta, në të cilat specialistët e fushës diskutuan rreth organizimit, menaxhimit dhe administrimit të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të MSH, por gjithashtu u diskutua dhe rreth këshillimit të karrierës dhe fazës së përcaktimit të fituesve.
#