KE i brengosur për shkeljet në Shqipëri
Në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës dhe të Torturës, Këshilli Evropës, vëzhgoi situatën ku ndodhen të arrestuarit dhe të ndaluarit nga policia, pas demonstratës antiqeveritare të 21 janarit në Tiranë dhe konstatoi përdorim të dhunës policore. Adrian Kati, Drejtor Ekzekutiv i kësaj Qendre theksoi se përdoruesit e dhunës duhet të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi.
Nëse do të kërkohet një rast flagrant i dhunës policore ndaj të arrestuarve në demonstratën antiqeveritare të 21 janarit, ky është ai i Fiqiri Xibrit, kryetar i sindikatës së minatorëve.
"Ishte situatë tërësisht e papranueshme që Z. Ibri, me një plagë të rëndë në kokë, të marrë nga të shtënat e gardistëve, të mbahej me pranga, në spitalin e burgut. Qendra jonë do ta ndjekë situatën për të gjetur të vërtetën lidhur me ata që ushtruan dhunë ndaj tij. Por ka edhe shumë raste të tjera." tha Kati.
Nisur nga këto raste ekspertja ligjore në Qendrën për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës dhe të Torturës, Erinda Bllaca, thotë se është shkelur rëndë ligji edhe Kushtetuta e Shqipërisë lidhur me të drejtat themelore të njeriut: "Kemi tejkalim të detyrës lidhur me të drejtën e jetës. Kemi katër vrasje të vërtetuara dhe të pakontestueshme”, tha Bllaca.