E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ian McEwan sulmon Izraelin

Romancieri britanik ka lansuar një sulm të fuqishëm ndaj qeverisë së Izraelit derisa e ka marrë një çmim letrar në Jerusalem. Nga The Guardian më 23 shkurt 2011 në ora 11:58

Shkrimtari britanik Ian McEwan ka hedhur një sulm ndaj politikave të qeverisë izraelite në fjalimin e tij të pranimit të çmimit letrar të Jerusalemit, duke thënë ‘një padrejtësi e madhe dhe e dukshme rri pezull në ajër”.

Para një audience ku ishin të pranishëm Presidenti i Izraelit Shimon Peres, ministri i kulturës Limor Livnat dhe kryebashkiaku i Jerusalemit Nir Barkat, McEwan ka folur për nihilizmin në të dy anët e konfliktit.

Duke ia adresuar vërejtjet e tij, në një ceremoni të hapjes së panairit ndërkombëtar të librit në Jerusalem, ‘qytetarëve izraelitë dhe palestinezë të këtij qyteti të bukur’, romancieri ka thënë: “Hamas e ka përvetësuar nihilizmin e sulmuesve vetëvrasës, të raketave të gjuajtura verbërisht nëpër qytete dhe nihilizmin e politikës asgjësuese ndaj Izraelit”.

Por, ka pasur gjithashtu nihilizëm në gjuajtjen e një rakete në shtëpinë e doktorit nga Gaza, Izzeldin Abuelaish, duke vrarë tri nga vajzat e tij dhe një mbesë gjatë luftës në Gaza. “Dhe është nihilizëm ta bësh Rripin e Gazës një kamp të gjatë të burgut. Nihilizmi ka krijuar një cunami prej betoni nëpër territoret e okupuara”.

Pavarësisht nga kritikat e tij thumbuese, të cilat audienca e tij i ka dëgjuar në heshtje, McEwan ka thënë se ishte “thellësisht i prekur me këtë shpërblim që njeh letërsinë e cila e promovon idenë e lirisë së individit në shoqëri”.

Jerusalemi, tha ai, është ‘vendi më i gjallë në të cilin kam shkelë ndonjëherë’.

Në Mbretërinë e Bashkuar, tha ai, romancierët kanë qenë të lirë të zgjedhin sa duan të shkruajnë rreth politikës. “Këtu, për të dy palët, si për shkrimtarët izraelitë ashtu edhe për ata palestinezë, ‘situata’ është gjithmonë aty... Është betejë kreative ta adresosh atë si dhe betejë kreative ta injorosh atë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›