KE i kthen vizat Serbisë dhe Maqedonisë?
Komisioni Evropian do të propozojë nesër rivendosjen e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilëve kanë abuzuar me sistemin e liberalizimit të vizave.
Masat do të ndëshkojnë vende si Maqedonia e Serbia, të cilat kanë dështuar në ndalimin e qytetarëve, të cilët shfrytëzuan të drejtën e udhëtimit pa viza për të kërkuar azil, sapo ata mbërrinin në një nga 27 vendet anëtare të BE.
Pas ankesave nga vendet të cilat kanë pasur kërkesat për azil, Komisionerja për çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, do të propozojë futjen e një klauzole sigurie për lejimin e rivendosjes së regjimit të vizave për vendet e treta.
Sipas AFP, sanksionet vijnë me kërkesë të një numri të madh vendesh të BE-së.
Mekanizmi mbrojtës u u prezantua nëntorin e kaluar, kur kërkesat për viza u hoqën për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinë. Por ky mekanizëm është i vlefshëm dhe për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Përballja me një numër të madh azilkërkuesish nga Serbia e Maqedonia, kryesisht me etni rome e shqiptare, detyroi Belgjikën të dërgonte ministrin e saj të emigracionit Melchior Wathelet në Beograd, për të përcjellë shqetësimin e vendit të tij.
Propozimi i Malmstrom do ti paraqitet ministrave të Brendshëm të BE-së për miratim, në takimin e tyre që do zhvillohet më 9 dhe 10 qershor në Luksemburg.