KE përplaset me Charles Michel për zgjerimin e BE-së në 2030-n, Rama: Autobusi i BE-së më i sigurt se aeroplani rus

Dy institucionet kryesore në Bruksel, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian janë përplasur me njëra-tjetrën për shkak të deklaratës së Charles Michel se blloku evropian duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj në vitin 2030.
“Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën shumë të ngushtë me vendet kandidate për t’u përgatitur për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha zëvendëszëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinant në një konferencë për mediat.
Ajo shtoi se Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen për përmbajtjen e fjalimit të tij në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Mosmarrëveshja e fundit publike midis von der Leyen dhe Michel, i konsideruar “çifti i çuditshëm i Evropës” për raportet e tyre të vështira – vjen ndërsa tema e zgjerimit të BE-së po zien në Bruksel.
Për këtë përplasje mes dy institucioneve të Bashkimit Evropian, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, ai përdor një metaforë sa i përket procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke shpërndarë një shkrim të Politico-s (ku paraqiten përplasjet mes dy institucioneve të BE-së), Rama shkruan se autobusi i Bashkimit Evropian është më i sigurt qoftë edhe pa ndenjëse se sa të ulesh në një aeroplan rus. Ndërsa thekson se është e sigurt se autobusi i BE-së nuk do të rrëzohet kurrë.
“Po sigurisht, kjo është arsyeja pse autobusi nuk mund të bëhet kurrë aeroplan… Gjithsesi më besoni, në statusin aktual të punëve të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurt se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë është shumë larg, por një gjë është e sigurt si vdekja: Ky autobus nuk do të rrëzohet kurrë”, shkruan Rama.
Gjithashtu po dje, presidenti francez Emmanuel Macron sugjeroi një BE që lëviz me më shumë shpejtësi në lidhje me pranimin e vendeve kandidate.
Disa vende të Ballkanit kanë pritur me vite për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe sipas kuadrit ligjor, këto vende duhet të plotësojnë një sërë kërkesash përpara se të integrohen.
Udhëheqësit e BE-së do ta trajtojnë këtë çështje në samitin e muajit tetor pasi lufta në Ukrainë ka ringjallur debatin mbi zgjerimin e bllokut evropian.
Tetë vende janë duke pritur në radhë, duke përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, të cilave iu dha statusi i kandidatit vitin e kaluar teksa është rritur edhe presioni për të nisur bisedimet e pranimit të Ukrainës deri në fund të këtij viti .
/rtsh.al/