E Diel, 1 Nëntor 2026

KE përshëndet zgjedhjen e presidentes së Kosovës Jahjaga

Komisioni Evropian mirëpret zgjedhjen konsensuale të Atifete Jahjages ne postin e presidentes së Republikës së Kosovës. Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme dhe siguri të BE, Catherine Ashton përshëndeti arritjen e marrëveshjes mes forcave politike në Kosovë për presidentin ndërsa ritheksoi nevojën e vazhdimit të reformave integruese si dhe vazhdimin e dialogut me Beogradin.
 

“Ne përshëndesim zgjedhjen në postin e presidentit të Kosovës të Atifete Jahjagës. Ne do të kemi kënaqësinë të punojmë më këtë presidente të re dhe me qeverinë e Kosovës. Sigurisht, ne do të punojmë së bashku për programin e integrimit evropian të Kosovës dhe për të intensifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Ky është një sinjal inkurajues dhe ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive për këtë zgjidhje në frymën e Kushtetutës dhe tani që kjo u arrit, ne presim me padurim që Kosova të shënojë progres të mëtejshëm”, tha Maja Kacijançiç.
 

E pyetur për rolin që ka luajtur ambasadori amerikan në zgjedhjen e presidentes së re zëdhënësja e Ashton u përgjigj: “Pas vendimit të gjykatës, Komisioni Evropian u bëri thirrje të gjitha partive politike për të bërë një marrëveshje mes tyre për zgjedhjen e presidentit dhe janë ato që e kanë bërë këtë. Tani kemi një marrëveshje, kemi një president dhe kjo është ajo që mund të them”.
 

Atifete Jahjaga u zgjodh me shumicë votash në postin e presidentit në raundin e parë të votimit të mbajtur pasditen e së enjtes në Parlamentin e Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›