KE prezanton projekte, për Mitrovicën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornsson, kanë prezantuar sot, tre projektet që pritet të realizohen brenda dy viteve të ardhshme dhe që do të ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Riparimi i palestrës sportive, ndërtimi i qëndrës së biznesit dhe ndërtimi i një qëndre multifunksionale të cilat përmenden edhe si një projekt i përbashkët për shkak të afërsisë dhe lidhshmërisë së tyre, do të realizohen falë mbështetjes së Komisionit Evropian me 14.5 milionë euro dhe të qeverisë së Kosovës me 8.5 milionë euro.
“Realizimi i këtij projekti do të jetë shtytës për vazhdimin e kulturës dhe sporteve që ka Mitrovica për integrimin e të rinjve të këtij qyteti”, tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se kjo është rezultat i qeverisjes së mirë më Mitrovicë, transparencës dhe efektshmërisë për të gjithë qytetarët e saj.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Kjartan Bjornsson, vlerësoi se realizimi i këtij projekti do të jetë shtytës për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të Mitrovicës, duke besuar se qendra që pritet të ndërtohet, do t`i sjellë aty të gjitha etnitetet dhe do t`i afrojë ata.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha se Mitrovica ka qenë, është dhe do të mbetet qytet i sportit. Ai ka falënderuar Komisionin Evropian për investimet që ka bërë në Mitrovicë, ku ka financuar edhe projekte të tjera, dhe në shenjë mirënjohje për punën që ka bërë, i ka dorëzuar përfaqësuesit të KE-së, Bjornsson, një emblemë të qytetit të Mitrovicës.