KE sqaron: Negociatat për MSA s’është njohje e Kosovës

Komisioni Evropian, në një memorandum sqarues dërguar shteteve anëtare të BE-së, i ka siguruar ato se vendimi për hapjen e negociatave për MSA për Kosovën, “nuk duhet të interpretohet si njohje nga ana e shteteve anëtare individualistë në rastet kur ato nuk e kanë bërë një hap të tillë më parë“, raportoi KTV-ja.
Dallimet brenda BE-së rreth pavarësisë së Kosovës, nuk kanë ndryshuar as me marrëveshjen e arritur dhe disa nga 5 shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën deri me tash kanë përsëritur këto ditë se nuk e ndërrojnë mendimin dhe nuk do ta njohin Kosovën. Por, sa i përket vendimit për MSA, ato shtete ende nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se si do të veprojnë.
Komisionari i Zgjerimit të BE-së, Shtefan Fule, është shprehur optimist se ato nuk do të paraqesin pengesa, pasi që, sipas fjalëve të tij, janë marrë parasysh edhe shqetësimet e tyre.
Sipas diplomatëve të BE-së, të cilët thirren në mendimin e ekspertëve ligjorë të BE-së, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është e mundur si një lloj marrëveshjeje që BE-ja ka me “etnitete, të cilat nuk janë shtete sovrane”. Si shembuj kanë përmendur Hong Kongun, Makaon, Tajvanin dhe Autoritetet palestineze, me të cilat BE-ja ka disa lloj marrëveshjesh. “Duke marrë parasysh dallimet në qëndrimet e shteteve anëtare rreth statusit të Kosovës, vendimi për të hapur negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me atë vend, nuk duhet të interpretohet si njohje e Kosovës si shtet nga ana e Bashkimit Evropian”, thuhet në rekomandim./Indeksonline/