E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit kërkojnë gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve

18/08/2009  Enigmë varret e të vrarëve gjatë pushtetit diktatorial

Shoqata e të përndjekurve politikë ka filluar dje gërmimet në fshatin Kuç të rrethit të Shkodrës, për gjetjen e eshtrave të dy personave 32-vjeçarë Sokol Sokoli dhe Toma Ndoja, ish të burgosur në burgun e Qafë Barit të Pukës, të pushkatuar nga regjimi komunist. Gërmimet në këtë vend, që ndodhet pranë përsëritësve të vjetër të radio televizionit shqiptar kanë filluar pas një informacioni të dhënë nga një prej ish-punonjësve të kësaj pike. Madje në këtë zonë, janë gjetur kohë më parë dhe eshtrat e të pushkatuarve të tjerë nga diktatura e egër komuniste. Deri tani gërmimet nuk kanë nxjerrë asnjë rezultat, por megjithatë drejtuesit e shoqatës së të burgosurve vazhdojnë të këmbëngulin në gërmimet e tyre. Besim Ndregjoni, Sekretar i Përgjithshëm i Integrimit të të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, është shprehur se qeveria shqiptare duhet t’i ndihmojë me të gjitha forcat dhe mundësitë për gjetjen e eshtrave të 4000 të pushkatuarve shqiptarë gjatë periudhës së diktaturës. “Ka 18 vjet që të përndjekurit politikë kërkojnë eshtrat e prindërve të familjarëve të tyre, të cilët janë pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste. Shteti shqiptar dhe politika po hesht ndaj krimit komunist, atëherë është detyra jonë që e përballuam terrorin komunist t’i kërkojmë këto eshtra dhe t’i bëjmë një var. Kurrë nuk do të ketë qetësi në Shqipëri nëse nuk do të gjenden eshtrat e dëshmorëve të fjalës së lirë”, tha Ndergjoni. Bedri Blloshmi, ish i burgosur me dy të pushkatuarit, eshtrat e të cilëve po kërkohen, ka dhënë informacionin për vendin ku mund të jenë eshtrat. Ndërsa ka paraqitur detaje mbi periudhën e protestës së të burgosurve të vitit 1984 në burgun e Qafë Barit, si dhe momentin e dënimit me pushkatim në qershor të atij viti për shtetasit Sokoli e Ndoja.

Më 22 maj të vitit 1984, rreth 700 të burgosur në burgun e Qafë Barit, organizuan një demonstratë kundër dhunës që ushtrohej do ditë mbi ta nga pushteti i asaj kohe. Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja të dy nga rrethi i Dukagjinit të Shkodrës, ishin iniciatorët e kësaj proteste. Një muaj më pas të dy u dënuan me pushkatim. Trupat e tyre do të varroseshin në një fushë të fshatit Kuç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›