KEK: Kemi eksportuar energji në Shqipëri për muajin nëntor dhe dhjetor
Korporata Elektroenergjetike Kosovare sqaron se ka eksportuar energji në Shqipëri gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2009, por në sasi jo të mëdha
Korporata Elektroenergjetike Kosovare ka bërë të ditur gjatë një deklarate për shtyp, se ka importuar energji gjatë vitit 2009 nga Shqipëria në muajt nëntor dhe dhjetor. KEK-u bën të ditur se gjatë gjithë muajit nëntor dhe atij dhjetor janë eksportuar energji në Shqipëri, por në sasira jo të mëdha. “KEK sh.a.” njofton që nuk ka shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përveç kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Për informimin e drejtë të publikut, KEK-u njofton që bëhet fjalë për një sasi të energjisë fare të vogël, e cila është e barabartë gjatë tërë nëntorit dhe dhjetorit me energjinë elektrike që KEK-u ka marrë nga KESH-i vetëm gjatë dy ditëve në fund të dhjetorit dhe gjatë janarit”.
Importi
“KEK sh.a.” njofton se nga ditët e fundit të dhjetorit dhe gjatë janarit ka marrë energji elektrike nga korporata simotër, KESH-i, në formë shkëmbimi, për aq sa e lejojnë kapacitet transmetuese. Për këtë qëllim, KEK-u ka ndalur nga puna dy njësi për prodhim të energjisë elektrike në TC “Kosova A”, në mënyrë që në hidrocentralet e Shqipërisë rezervat hidrike të përdoren sa më shumë për prodhim të energjisë elektrike e të mos humbasë uji. Kjo marrëveshje me KESH-in njëkohësisht ka ndihmuar edhe në uljen e rrezikut nga vërshimet e mëdha në Shkodër. Konkretisht, KEK-u ka marrë varësisht prej orës dhe ditëve deri në 300 MW për orë, apo mbi 5600 MW/h brenda 24 orëve që nga data 26.12.2009. Gjithçka është bërë në bazë të marrëveshjeve KEK-KESH për shkëmbime të energjisë elektrike. Energjia e pranuar nga ana e KEK-ut prej Shqipërisë është energji e shkëmbyer dhe nuk paraqet shitblerje të saj. KEK-u ndër vite bashkëpunon me KESH-in në fushën e shkëmbimeve të energjisë elektrike. Rrjedhimisht, “KEK sh.a.” ka vënë në dispozicion të KESH-it tërë potencialin e vet teknologjik për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive në hidrocentralet e KESH-it, vështirësi që kanë rezultuar nga ngritja e nivelit të prurjeve në liqenin e Fierzës. KEK-u mbetet thellësisht i angazhuar të ndihmojë edhe në ditët në vijim, deri në stabilizimin e gjendjes në hidrocentralet shqiptare.
Përplasja
“Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor, një pjesë të dhjetorit, ne kemi kthyer energji elektrike në Shqipëri. Bëhet fjalë për 20 deri në 63 megavat në orë. Mirëpo në fund të dhjetorit ne kemi filluar të marrim energji elektrike nga KESH-i, në mënyrë që t’i vinim në ndihmë”, u shpreh Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut. KEK-u deklaroi se i ka kthyer KESH-it një pjesë të borxhit që i detyrohet përgjatë dy muajve dhe ka nisur të marrë energji nga Shqipëria vetëm në dy ditët e fundit të muajit dhjetor. Gjatë ditëve të fundit ka pasur një reagim të mediave kosovare për këtë problem, të cilat kanë dhënë fakte që hedhin dritë mbi aktivitetin e KEK-ut dhe KESH-it gjatë kësaj periudhe. Duket se KESH-i ka qenë fare i papërgatitur për situatën në të cilën është gjendur pas ardhjes së shpejtë të mijëra metrave kub ujë në sekondë. Deri në javën e fundit të muajit dhjetor, KESH-i ka vazhduar që të grumbullojë, ujë duke mbajtur HEC-et e kaskadës së Drinit në nivelet më të larta, të cilat garantojnë një prodhim të lartë energjie. Mungesa e kapaciteteve importuese në periudha thatësire, mungesë kjo që vazhdon të mos ketë asnjë ndryshim si para 20 vitesh, bën që çdo qeveri dhe menaxher i KESH-it të ketë një strategji mbledhjen e ujit për verën. Në këto kushte importohet në çdo periudhë të vitit një sasi e madhe energjie, për të mbajtur sasira të energjisë jo në kontrata me jashtë vendit, nga ku mund të importohet në kushte thatësire, por në liqenet e kaskadës, duke mbartur në këtë mënyrë një risk permanent.
Box 4
Situata
Duket se KESH-i ka qenë fare i papërgatitur për situatën në të cilën është gjendur pas ardhjes së shpejtë të mijëra metrave kub ujë në sekondë. Deri në javën e fundit të muajit dhjetor, KESH-i ka vazhduar që të grumbullojë ujë, duke mbajtur HEC-et e kaskadës së Drinit në nivelet më të larta, të cilat garantojnë një prodhim të lartë energjie.
Përmbytja, KESH nuk mbulon faturën e dëmeve
Pas më shumë se dy javësh tmerri dhe humbjesh që kalojnë 100 milionë euro vetëm në dëme të prekshme, KESH-i rezulton që të ketë mbledhur nga kjo katrahurë vetëm çikërrima. Paratë që Korporata Energjetike ka arkëtuar nga shitja e energjisë gjatë muajit dhjetor dhe ato që pret të marrë në janar nuk mjaftojnë as për të mbuluar shpenzimet emergjente që ka krijuar situatën e përmbytjeve në fazën e parë të tyre. Të dhënat zyrtare të vetë korporatës tregojnë se në dhjetor KESH fitoi nga eksporti i energjisë vetëm 2.3 milionë eurom duke shitur 55.6 milionë kilovat/orë energji, me një çmim mesatar prej 42.84 eurosh për megavat. Edhe pas rritjes së eksporteve në janar, si pasojë e tejmbushjes së hidrocentraleve, shifrat e arkëtuara nga eksporti do të vazhdojnë të jenë sërish të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare, për të gjithë muajin janar, KESH-i parashikon të eksportojë rreth 329 milionë kilovat/orë energji, sipas kontratave tashmë të lidhura.
***
Nëse çmimet e shitjes, të cilat kuotohen në bursën greke, do të vazhdojnë të jenë në të njëjtat nivele me ato të dhjetorit, e gjithë energjia e shitur për janarin do të sillte në arkën e KESH-it më pak se 10 milionë euro, pa konsideruar që një pjesë e mirë e eksporteve i kanë shkuar Kosovës në formën e shkëmbimit dhe nuk arkëtohen. Sipas të dhënave, në dy muajt e saj, më të mirë hidrikë, KESH do të arkëtojë nga eksporti pak më shumë se 10 milionë euro, kur vetëm fondi që buxheti ka vënë në dispozicion për të përballuar shpenzimet emergjente të përmbytjeve do të jetë rreth 5 milionë euro. Dhe kjo pa llogaritur koston e ushqimeve apo karburanteve që është dërguar në zonat e përmbytura nga agjencitë e ndryshme shtetërore, si rezervat e shtetit apo ushtria.
Me këto të dhëna, paratë e eksportit të energjisë do të mjaftonin vetëm për të mbuluar shpenzimet e para të përmbytjes, por pa përfshirë zërin me koston më të lartë, dëmshpërblimin e banorëve dhe për të cilën paratë nga eksporti i KESH-it nuk mjaftojnë, por do të dalin nga arka e buxhetit të shtetit.
***
Specialistët e bujqësisë e llogarisin humbjen e më shumë se 11 mijë hektarëve tokë të përmbytur si tepër të lartë. Sipas tyre, përmbytja ka shumë gjasa që të kthejë në toka të papërdorshme me mijëra hektarë, për shkak të përmbajtjes që kanë ujërat e Drinit dhe ato të Bunës, që kanë ardhur nga malet me shtresa mineralmbajtëse. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e ujit në përmbytje ka ardhur nga deti, duke bërë që një pjesë e tokave afër brigjeve të kthehen në të kripura dhe të papërdorshme. Kjo, sipas specialistëve të bujqësisë, është një katastrofë, e cila nuk mund të riparohet më dhe është disa herë më e madhe se edhe vetë vlera e shkaktuar në dëmet e shtëpive dhe orendive, të cilat kanë qenë në brendësi të tyre.
Del dielli, bien prurjet në Fierzë
Në liqenin e hidrocentralit të Fierzës niveli i ujit ka rënë edhe me 2 centimetra të tjera, duke shënuar 290,40 metra. Prurjet në këtë liqen janë 570 metra kub në sekondë, ndërsa vazhdon të shkarkohet 900 metra kub ujë në sekondë. Jashtë rrezikut paraqitet situata edhe në liqenin e Komanit, niveli i ujit në të cilin ka zbritur në 170,34 metra.
Sipas të dhënave më të fundit, në këtë liqen prurjet arrijnë në 230 metra kub në sekondë dhe shkarkohet 1 130 metra kub ujë. Edhe në liqenin e Vaut te Dejës situata paraqitet jashtë rrezikut. Në këtë liqen, edhe pse niveli i ujit është rritur me 3 centimetra, ai është poshtë nivelit maksimal të lejuar prej 76 metrash. Matjet më të fundit tregojnë se uji ka arritur në kuotën prej 74,2 metrash, me prurje rreth 150 metër kub në sekondë dhe derdhje 1 160 metër kub ujë në sekondë. Nga këto 3 hidrocentrale aktualisht prodhohet 1 190 kilovat/orë energji.
***
Por nga ana tjetër, duket se në rritjen e nivelit të prurjeve mund të ndikojë edhe hapja e portave të liqenit të Ohrit, të cilat tashmë duket se do të shpëtojnë zonat afër këtij liqeni nga përmbytjet. Autoritetet maqedonase në Strugë kanë vendosur hapjen e një prej portave të lumit Drin për shkarkimin e ujërave, pas rritjes së nivelit të ujit të liqenit të Ohrit dhe mbushjes në kuota maksimale. Por, sipas të dhënave, kapaciteti aktual i shkarkimit nga porta e Drinit me 7 metra kub në sekondë nuk përbën rrezik evident për situatën në vendin tonë.
Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, thotë se hapja e portave të Drinit është e detyrueshme, për faktin se tashmë zona është prekur nga efektet e para të përmbytjes nga ujërat e liqenit. “Jemi në kuotën maksimale prej 693 centimetrash dhe mund të shohim se edhe në Strugë në disa pjesë ka erozione të plazheve dhe prishje të rrugës që është magjistrale përreth liqenit”, ka deklaruar Merko. Në rast se hapen të gjitha portat e Drinit, sipas monitorimit, shkarkohet një sasi prej 60 metrash kub në sekondë, por deri më tani autoritetet lokale nuk kanë të dhëna në rast se do të ndërmerret një veprim i tillë.