Vendi sduhet lënë të gremiset
Kjo legjislaturë po i mbush gjashtë muaj. Më saktë, po i shtyn. Parlamenti është pothuaj i pezulluar. Qeveria gjithashtu. Ngaqë s’kanë punë, krerët e maxhorancës bëjnë çmos t’i hapin vetes punë pa punë. çfarë bëjnë? Topalli shkon diku (rëndom në ndonjë studio televizive), e mban ndonjë fjalim kundër Edvin Kristaq Ramës; ose bën ndonjë vizitë jashtë vendit për t’u kthyer me mbështetje ndërkombëtare, e cila s’po merret vesh se për çfarë i lypset. Ndërsa Sala e ka më të madhe rrezen e aksionit: ai herë mban fjalimin e radhës në mbledhjen e qeverisë, i cili mbaron me filipiken e radhës kundër armikut të vet për vdekje, herë medemek përuron ndonjë vepër të madhe në fshatrat e Shqipërisë, herë mbledh deputetët e vet, të cilëve u bën një sqarim mbi situatën, e herë bën, ashtu si Jozi e Liku, ndonjë vizitë jashtë vendit, prej nga na vjen i armatosur me qëndrime diplomatësh e shtetarësh të huaj në favor të qeverisë e kundër opozitës. Pjesën tjetër të kohës, Sala e harxhon me mobilizimin partizan të administratës publike kundër ca “mistrecëve” lokalë, të cilët “si rastësisht” janë sipërmarrës dhe investitorë në fushën e mass-media-s, sidozot Dulaku, Kokëdhima, Baze etj., etj.
Edhe sa do ta shtyjnë kështu? Do ta shtyjnë derisa të shtyhet. Me këtë logjikë po ecin. Planet deri më tash i kishin mbështetur te presioni ndërkombëtar e te zbythja e Ramës përballë këtij presioni. Tash e tutje nuk duket se kanë ndonjë plan. Kanë thjesht një shpresë të vagullt tek lodhja e opozitës, gjë që mund të sjellë fërkime e përçarje më të mëdha aty brenda. Por me kalimin e kohës, kjo shpresë po bëhet edhe më e vagullt. Momentet e mira politike, që mund të legjitimonin futjen në parlament të rebelëve anti-Rama brenda PS-së, po ikin tok me vitin kalendarik. Atëherë? Atëherë, mbeten dy rrugë. E para, e ka emrin “të dalë ku të dalë”, ndërsa e dyta të çon tek një zgjidhje më racionale.
Ca ditë më parë, kur Berisha shpërtheu në parlament, të gjithë besuan se ai kish marrë vendimin për të ecur në rrugën e parë. Shpërthimin në parlament e ka lënë hëpërhë pas krahëve, e në vend të tij, ka zënë të lëshojë ca sinjale paqeje e mirëkuptimi me opozitën, por sulmet e shpërpjesëtimuara ndaj sipërmarrësve që financojnë media-t opozitare nuk na lënë të mendojmë se ai i është larguar rrugës së parë. I pëlqen ta rrahë shumë e shpesh rrugën “të dalë ku të dalë”. Kjo rrugë po ngushtohet gjithnjë e më shumë, rrjedhimisht po bëhet gjithnjë e më pak e rehatshme për të, por ai prapëseprapë, e ka për zemër të ecë aty. Janë instiktet që e urdhërojnë të mos i ndahet asaj rruge. Sidomos kur nuk ka rrugë tjetër.
Mirëpo, po flitet së fundmi se një rrugë tjetër është gjendur. Na qenka dikush diku, shumë i fuqishëm, që po ia hapka Berishës dhe këtë rrugë. Njerëzit e pushtetit pra po presin pranverën, kur mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave. E menjëherë pas kësaj, do të shpallin zgjedhjet e parakohshme, të cilat, bash për shkak të arritjes historike të liberalizimit të vizave, do të fitohen lehtë-lehtë. Ka gjasa që të jetë kështu? E vërteta është se e gjitha kjo duket si fantapolitikë. Edhe pse vendimi për liberalizimin e vizave, ashtu si ai për anëtarësimin në NATO, është një vendim strategjik, që nuk ka lidhje me vullnetin e gatishmërinë e këtushme, të duket e vështirë që të mëdhenjtë e kontinentit tonë të marrin një vendim të tillë në rrethanat e një “lufte civile” brenda politikës së Tiranës. Në këtë kuptim, ideja e liberalizmit të vizave në pranverë është një sendërgjí apo një zhgjëndërr e njerëzve të pushtetit.
Po sikur kjo të jetë e vërtetë? - mund të këmbëngulë ndonjëri. ç’duhet bërë? Ka njerëz që thonë se opozita duhet ta refuzojë apriori idenë e zgjedhjeve të parakohshme, pasi veç kështu mund të shfaqet parimore. Me fjalë të tjera, veç kështu ajo ka gojë t’u thotë shqiptarëve, se “neve na interesojnë zgjedhjet e ndershme, e jo zgjedhjet e parakohshme; neve na bezdis ideja e vjedhjes së votës, e jo ideja e qëndrimit në opozitë për katër vjet të tjera. Prandaj, mos bëni gati kutitë e zgjedhjeve të reja, por hapni kutitë e zgjedhjeve të vjetra!”
Mirëpo, askujt nuk i duhet sot një opozitë parimore (të kuptohemi, edhe sikur të na duhej, nuk kishim ku ta gjenim); neve na duhet një opozitë inteligjente, një opozitë që të mos bjerë në kurthet e Berishës (deri tani ia ka dalë mbanë), një opozitë që të mos damkoset si destruktive nga ata të huaj, që zgjedhjet e parakohshme ose do t’i provokonin, ose do t’i mirëprisnin, ose do t’i shihnin si një valvulë e mirë për të shkarkuar tensionet e politikës shqiptare.
E kështu, zgjedhjet e parakohshme duhet të shihen të mirëseardhura. Sigurisht, do të futemi sërish në zgjedhje me frikën e vjedhjes së votave, por tanimë më shumë frikë duhet të ketë Berisha. Ky i fundit nuk mund të refuzojë për herë të dytë pretendimin për numërim të saktë të votave, qoftë gjatë procesit të vendimmarrjes në KQZ, qoftë pas zgjedhjeve (nëse do ta dojë humbësi). Por deri atëherë, atij do t’i duhet të merret mirë me pretendime të tjera të opozitës, të cilat duhet të jenë në funksion të garës së ndershme e të barabartë elektorale. Ai nuk duhet lejuar të na fusë në zgjedhje me këtë televizion publik, me këtë KQZ, e me këto instrumente ligjorë, të cilët nuk mjaftuan për të garantuar zgjedhjet e ndershme.
Mos po merrem kot më kot me një skenar të pamundur? Për mua është vërtet kështu, d.m.th një skenar i pamundur. I erdha vërdallë këtij skenari, thjesht ngaqë ka njerëz që e besojnë. Ndërsa unë vetë besoj se Berisha do të këmbëngulë të ecë në rrugën e parë “të dalë ku të dalë”. Nuk është se i intereson kjo. Thjesht nuk di të ecë në rrugë tjetër. Dhe opozita nuk bën keq të përgatitet për këtë variant, në mënyrë që të mos e lejojë Berishën që, tok me qerren e pushtetit, të hedhë në greminë shtetin e vendin.