E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK e AKB, s`merren vesh

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve e kanë interpretuar sipas qejfit vendimin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për kategorinë A+. Për AKB’në, vendimi u jep të drejtë bizneseve, kurse për KEK’un është kërkuar heqja komplet e kësaj kategorie. As vetë ZRRE s’i bie në fije. Nga Agon Sinanaj më 09 shtator 2011 në ora 10:00

Vendimi i fundit i Zyrës se Rregullatorit të Energjisë, rreth kategorisë se furnizimit me energjisë për bizneset e privilegjuara A+, ka rikthyer akuzat mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Në vendimin e vet, Zyra e Rregullatorit sqaron se pas njoftimit nga ana e KEK-ut për urdhëresën e re për zbatimin e rregullave me prioritet të KEK-ut, ka konstatuar se zbatimi i tyre është në kundërshtim me dispozitat e nenit 4.4 të Rregullës për Kushtet e Përgjithshme për Furnizim me Energji.

Sipas kësaj rregulle, “çdo furnizues dhe operator i sistemit është i detyruar që në pajtim me ketë rregull të zhvillojë politika në lidhje me kushtet për kyçje në sistem dhe furnizim me energji brenda një periudhe kohore që nuk i tejkalon 90 ditë kalendarike pas marrjes se licencës”.

“Duke u bazuar në kompetencat e përcaktuara me Ligjin mbi Rregulloren për Energji, ZRRE kërkon nga KEK-u që ta ndërpresë zbatimin e rregullave për konsumatorë me prioritet të KEK-ut”, thuhet në njërin nga paragrafët e këtij vendimi, që është edhe pika ku janë kapur këto institucione.

Me t’u marrë ky vendim, AKB dhe KEK kanë reaguar me komunikata për të shpallur fitoren.
Aleanca Kosovare e Bizneseve, vendimin e ZRRE-së e sheh në favor të vetin dhe se me këtë KEK-u duhet ta tërheqë vendimin e vet, me të cilin i kishte kushtëzuar konsumatorët e kësaj kategorie që të paguanin si garanci 25 për qind të shumës vjetore të konsumit të energjisë. Në komunikatën e vet, ky asociacion i bizneseve falënderon Zyrën e Rregullatorit për, siç thonë ata, vendimin e drejtë me të cilin e kundërshton KEK-un.

“Zyra e Rregullatorit për energji aprovon kërkesën e AKB-se për anulim të vendimit të KEK-ut”, thuhet në komunikatën e AKB-së.

Ndërkaq, menjëherë pas kësaj ka reaguar Korporata Energjetike e Kosovës.

Sipas tyre, me vendimin e vet, ZRRE nuk e ka kundërshtuar KEK-un, por ka kërkuar heqjen e komplet kategorisë A+.

“KEK sqaron se kërkesa e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk është që t’i mbështesë kërkesat individuale të ndonjë individi, por që të hiqet krejtësisht kategoria A+. Kjo nënkupton se një individ si Agim Shahini në vend që t’i mbrojë interesat e biznesit, ashtu siç pretendon, ka bërë të kundërtën, ka goditur interesat e bizneseve”, shpjegon komunikata.

Për më tepër, KEK thotë se do të veprojë në përputhje të plotë me kërkesën e ZRrE-së, siç edhe e ka obligim, që nënkupton heqjen komplet të kësaj kategorie.

Nga ana tjetër, zyra për komunikim e ZRRE-së nuk ka arritur të sqarojë me saktësi për gazetën se çka realisht ka vendosur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›