E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri u kërkon komunave të përgatiten për misionin e KE-së

Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 12:43

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar nga kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, të jenë të përgatitur maksimalisht për të pritur një mision të Komisionit Evropian, i cili pritet të qëndrojë gjatë këtyre ditëve në Kosovë. Ndërsa përfaqësuesit e komunave shprehen të bindur që janë përmbushur të gjitha obligimet që kanë të bëjnë për riatdhesimin e qytetarëve.

Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pritet që të qëndrojë për një vizitë disa ditësh në Kosovë një delegacion i Komisionit Evropian. Misioni do të vizitojë disa prej komunave të Kosovës, për të parë nga afër procesin e riatdhesimit të qytetarëve të huaj.

Por një takim i mbajtur të premten, mes kryeministrit dhe kryetarëve të komunave, i pari i Qeverisë, u ka kërkuar atyre që të jenë të përgatitur maksimalisht për të pritur këtë mision dhe të japin informacionin e mjaftueshëm atyre.

“Kërkojmë nga ju që të siguroheni që komunat që i drejtoni tani të jenë të përgatitura maksimalisht për këtë mision, duke pas parasysh vizitat që ky mision do ti zhvillojë në komunat tuaja përkatëse. Në kuadër të përgatitjeve, ju lusim që në rast vizitave nga ekspertët e përmendur të siguroni bashkëpunimin maksimal me ta dhe të ndani gjithë informacionin që keni në dispozicion, për të siguruar që progresi i arritur do të reflektohet edhe në raportimin vlerësues që ata do të bëjnë”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se pritet mbështetja e gjithanshme e zyrave komunale për kthim dhe komunitete, në krye të funksionit të tyre të përgjithshëm, e sidomos sa i përket procesit të riintegrimit.

Thaçi ka kërkuar po ashtu komunikim me riatdhesuarit përmes aktiviteteve vetdijësuse, por edhe përmes përforcimit të mekanizmave monitorues. Sipas tij, ky proces kërkon vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimin sa më të afërt me nivelin qendror, i cili tani më është avancuar në masë të madhe.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se me realizimin e strategjisë për riintegrim është arritur një përparim i dukshëm.

“Pas ftesës tonë që të bëjë një vizitë Komisioni Evropian, për të shikuar se ku kemi arrit me realizimin e strategjisë për riintegrim, rezultatet janë evidente në gjitha komunat dhe angazhimin e juaj, ajo letër nuk kishte me qenë pozitive qysh edhe ka dorëzuar zonja Mallstrom. Pra pas një komunikimi që ka qenë i zbehtë, qoftë në komunikim mes nivelit qendror, qoftë riorganizimit të zyrave për kthim dhe komunitete, tash është arritur një përparim i dukshëm”, ka theksuar Rexhepi.

Ndërsa, Bajrush Xhemajli kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka deklaruar se ky proces në Republikën e Kosovës është marrë me një seriozitet mjaft të madh dhe rezultatet në çdo komunë janë evidente.

“Ne vërtet duke e pas parasysh rëndësinë e veçantë që ka riatdhesimi për Republikën e Kosovës, këtë punë e kemi marr shumë seriozisht si kryetar i komunave, dhe konsideroj, dhe me bindje e them se është duke u udhëhequr ky proces në çdo komunë veç e veç me seriozitetin më të madh, besoj se kjo ka dhënë rezultate në çdo komunë. Për aq sa jam i njoftuar, Bordit të Asociacionit të Komunave dhe Këshilli i Kryetarëve, kemi qenë në nivel të detyrës dhe çdo person që është kthyer është trajtuar ashtu siç e meriton”, ka thënë Xhemajli.

Në këtë takim të kryetarëve të komunave, ka munguar kryetari i komunës më të madhe të vendit, Prishtinës, ndërsa në mungesë të kryetarit Isa Mustafa, një fjalë rasti ka mbajtur nënkryetari, Avdullah Hoti.

Ai ka theksuar se Komuna e Prishtinës është plotësisht të përkushtuar që vlerësimi i Komisionit Evropian të jetë vërtet pozitiv, ashtu siç e meriton Kosova. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›