E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK’u i afrohet kreut

Nga pesë ndeshjet e xhiros së 30-të të Superligës, vetëm Drenica ka arritur të marrë pikë të plota në udhëtim, pasi mposhti Gjilanin, derisa Trepça dhe Prishtina nuk kanë arritur të importojnë më shumë se nga një pikë nga Liria respektivisht Flamurtari.

Liria – Trepça 2:2

Lideri aktual, Trepça me mjaft mund e ka fituar një pikë në Prizren në përballje me Lirinë, ndeshje kjo që ka përfunduar me rezultat të barabartë 2:2, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës.
Lira ka kaluar e para në avantazh prej 1:0, me golin që e ka shënuar Fatih Karahoda në minutën e 7-të. Vetëm shtatë minuta më vonë, prizrenasit shtuan epërsinë në 2:0 ndaj ekipit mysafir, me golin që e ka realizuar Uliks Emra.
Trepça në pjesën e dytë hyri më e fuqishme, duke arritur që ta ngushtojë epërsinë e Lirisë në 2:1, me golin që e ka shënuar Elvis Osmani. Ndërsa, ekipi gjelbërezi ia doli ta barazojë rezultatin në 2:2 në minutën e 91-të të ndeshjes, me golin që e shënoi Elvis Osmani.

KEK-u – Ferizaj 3:0

Pas barazimit të Trepçës në duel me Lirinë (2:2), KEK-u i ka shtuar edhe më shumë gjasat për ta fituar titullin e kampionit, pasi e mposhti Ferizajn me rezultat të thellë, 3:0.
Pas kësaj fitoreje, KEK-u iu është afruar vetëm në tri pikë liderit, Trepçës, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit.
Dy gola për ‘Elektricistët’ ndaj ferizajasve i ka shënuar Kastriot Rexha në minutën e 26-të dhe 70-të, kurse një gol tjetër dhe shumë të bukur e ka shënuar Valon Bajrami në minutën e 43-të të ndeshjes.

Vëllaznimi – Kosova (V) 2:0

Vëllaznimi pothuajse e ka siguruar vendin e dhjetë në tabelë - pozitë kjo që çon në ndeshje barazhi me ekipin e tretë nga Liga e parë - pasi e mposhti Kosovën (V) me rezultat 2:0. Pas kësaj humbjeje, vushtrriasit veç e kanë humbur hapin në luftë për mbijetesë.
Fitoren ekipit gjakovar ia ka siguruar Atdhe Gashi që i realizoi të dy golat. Ai shënoi gol në minutën e 33-të dhe 40-të të takimit. Të dyja këto gola, Gashi i shënoi nga gjuajtjet e lira.

Flamurtari – Prishtina 1:1

Ndeshja derbi e kryeqyteti, ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës ka përfunduar me rezultat të barabartë, 1:1, ndonëse të dyja ekipet patën edhe raste të tjera shënimi, pasi aplikuan lojë të hapur. Bardhekaltrit kanë kaluar të parët në avantazh prej 0:1 në minutën e 26-të me golin që e ka shënuar Faton Zejnullahu. Kuqezinjtë i barazuan shifrat në 1:1 në minutën e 41-të me golin që e ka shënuar Labinot Jetullahu.

Hysi – Besa 2:1

Hysi e ka shfrytëzuar terrenin e vet dhe e ka mposhtur Besën me rezultat 2:1. Pejanët kanë kaluar të parët në avantazh prej 0:1 me golin që e shënoi Granit Çekaj në minutën e 10-të. Hysi e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 37-të nëpërmjet Labinot Osmanit. Bardhezinjve fitoren ua siguroi Enis Zabërxha që shënoi gol në minutën e 83-të për rezultat përfundimtar, 2:1.

Gjilani – Drenica 1:2

Gjilani i ka thënë lamtumirë Superligës pas humbjes nga Drenica në shtëpi.
Kuqezinjtë ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire e Gjilanit, të cilin ekip kuqezinjtë e mposhtën me rezultat 1:2. Golat për ekipin nga Skenderaj në këtë takim i kanë shënuar Mensur Limani në minutën e 48-të dhe Premton Muji në minutën e 83-të të takimit. Kurse, golin e vetëm për Gjilanin në këtë ndeshje e ka realizuar Ismet Ramushi në minutën e 29-të të ndeshjes.

Tabela ND GD PI
1. Trepça 30 18 53
---------------------------------------
2. KEK-u 30 20 50
3. Hysi 30 12 47
4. Prishtina 30 3 46
5. Besa 30 10 44
6. Liria 30 6 44
7. Flamurtari 30 1 44
8. Drenica 30 -13 40
9. Ferizaj 30 -6 38
---------------------------------------
10. Vëllaznimi 30 -11 35
---------------------------------------
11. Kosova (V)30 -17 28
12. Gjilani 30 -20 25

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›