E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH: Monitorimi i digave, rritet implementimi i projekteve më 2011

Kompania KESh sh.a. synon që projektet e hartuara gjatë vitit 2010 për monitorimin e sigurisë së digave të implementohen gjatë 2011-ës. Implementimi i tyre sipas KESh do të bëjnë të mundur rritjen e cilësisë së monitorimit të këtyre digave, duke garantuar sigurinë e tyre sipas normave ndërkombëtare të sigurisë si edhe mbrojtjen e tyre nga një numër rreziqesh natyrore të tilla si: rënia e shkëmbinjve, shkarjet pranë vendndodhjes së themeleve, përmbytjet, tërmetet etj.; dukuri këto që kërcënojnë sigurinë e digave. Raporti për 2010-ën i KESh sh.a. tregon se Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është mbështetur nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së gjenerimit të energjisë elektrike. Aktualisht,

projektet kryesore në të cilat është përfshirë korporata në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare janë: Projekti i Sigurisë së digave, Projekti TEC Vlora

Projekti i Sigurisë së Digave, është një projekt i një rëndësie prioritare për Sistemin Elektroenergjetik dhe për Shqipërinë nisur nga impakti që ky projekt ka në parandalimin

e katastrofave që mund të shkaktohen nga dëmtimet e këtyre digave. Në kuadër të objektivave të programit rajonal për Komunitetin e Energjisë për Europën Juglindore - APL 5 (ECSEE APL)- është firmosur Marrëveshja Financiare ndërmjet Republikës

së Shqipërisë dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) si dhe Marrëveshja ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare – KESh sh.a dhe Shoqatës për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA) në lidhje me Projektin e Sigurisë së Digave në hidrocentralet e kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat. Objektivi i realizimit të projektit është rritja e sigurisë së digave të hidrocentraleve më të mëdha të Sistemit Elektroenergjetik Shqiptar të ndërtuara në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat; Rritja e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike, nëpërmjet rritjes dhe përmirësimit të eficiencës së prodhimit të energjisë elektrike nga burimet hidrike, që ndikon edhe në rritjen e qëndrueshme të sigurisë së furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal të energjisë. Ky projekt u hartua bazuar në “Studimin mbi Sigurinë e Digave të hidrocentraleve të kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat”, i financuar në vitin 2006 nga Qeveria Zvicerane e përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike – SECO. Ky studim ka bërë një analizë të thellë të gjendjes aktuale të këtyre digave, duke identifikuar nevojat për investime si: Rehabilitimi e veprave shkarkuese, instalimin e sistemeve të reja të kontrollit dhe monitorimit, mbrojtja nga rreziku i rënies së shkëmbinjve rreth shpateve të digave, përmirësimi dhe garantimi i rrugëve hyrëse në godinat e centraleve, digave dhe galerive të dranazhit, studimi batimetrik i baseneve,

rishikimi e hidrologjisë së kaskadave të lumenjve Drin dhe Mat, punimet në bjefet e poshtme të këtyre hidrocentraleve me qëllim eliminimin e sedimenteve të ngurta etj.

Projekti i implementimit të investimeve për Sigurinë e Digave, sipas KESh, është parashikuar të realizohet nëpërmjet një financimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare, si SECO, EBRD, KFW, KESH etj. Duke iu referuar raportit për 2010-ën, siguria e digave të mëdha hidroenergjetike të Shqipërisë si edhe përmirësimi i efikasitetit të tyre operacional ka qenë një ndër objektivat më të rëndësishme të Korporatës përgjatë vitit 2010. Kjo për faktin se ato konsiderohen jo vetëm si objekte të rëndësisë së veçantë për prodhimin e energjisë elektrike, por dhe si një nga faktorët kryesorë të mbrojtjes së popullatës nga përmbytjet dhe nga shkarkimet e detyruara që duhet të kryhen në periudha të veçanta të vitit në pjesën e poshtme të kaskadës së lumit Drin dhe Mat. Në këtë kuadër është kryer në vazhdimësi monitorimi i sigurisë së tyre nëpërmjet aparaturave dhe pajisjeve matëse të instaluara në digat dhe nënveprat e tyre, si edhe janë realizuar ndërhyrjet e nevojshme për rehabilitimin e portave të shkarkimit dhe mirëmbajtjen e digave. Digat në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat,

në lumin Drin, i cili ndodhet në veri të vendit janë ndërtuar në sistem kaskade tre HEC-et më të mëdhenj, të cilët kanë dhe digat më të mëdha dhe më të rëndësishme të të gjithë

sistemit hidroenergjetik shqiptar

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›