E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: PS po ndihmon PD me debatet për Kushtetutën dhe Presidentin

Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, një nga aleatët më të afërt të Partisë Socialiste, del kundër debatit të hapur për ndryshimet kushtetuese. Kjo jo për faktin nëse ndryshimet e propozuara duhen apo jo, por për atë se, sipas tij, Shqipëria nuk vuan për ligje, por për zbatimin e tyre. Ndaj ka theksuar Gjinushi hapja e një diskutimi të tillë nuk bën gjë tjetër veçse i krijon frymëmarrje mazhorancës. “Është vetëm fitim kohe për qeverinë. Është vetëm mbajtje gjallë e krizës, sepse kriza në Shqipëri vjen nga zbatimi i keq i ligjeve. Për pasojë, në këto kushte kriza nuk mund të zgjidhet me rregullime të ligjeve, qoftë të Kushtetutës, qoftë të Kodit Zgjedhor. Asnjë ndryshim ligjor nuk mund të ketë efekt pa ndryshimet qeveritare, pa larguar shkaktarët e krizës, pa larguar shkaktarët e shkeljes së ligjit, pa larguar ata që nuk zbatojnë asnjë ditë e asnjë orë dhe ky e ka emrin Sali Berisha”, - u shpreh Gjinushi. Nisur nga një logjikë e tillë, kreu i PSD-së kritikon qëndrimin e PS-së dhe vlerëson se ajo që duhet të bëjë kjo forcë politike është që të bëjë opozitë të vërtetë. “Lëvizja e Partisë Socialiste është e pakuptueshme për ne në këtë rast, sepse të tëra reformat me Berishën kanë qenë të dështuara. Reformat janë detyrë e qeverisë, nuk janë detyrë e opozitës. Pra, problem është zbatimi i ligjit dhe ne duhet të ndërmarrim një zgjidhje politike, të ringremë një Kuvend të dalë nga vota ligjore, vota e ndershme, një Kuvend që zbaton Kushtetutën, një Kuvend që di të ndërtojë marrëdhënie të institucionalizuara pozitë-opozitë, një Kuvend dhe një qeveri që di të bashkëpunojë me institucionet. Çdo gjë tjetër është vetëm alibi, vetëm humbje kohe dhe është vetëm një lëvizje në favor të Sali Berishës”, - u shpreh Gjinushi. Duke theksuar se PS po bën gabime në qëndrimet e saj, Gjinushi i kujton asaj se zgjidhja e vetme për këtë situatë nuk është bashkëpunimi me qeverinë, por largimi i saj. “Zgjidhja është ndryshim i Kuvendit, i qeverisë, pra rivendosjen e votës së lirë. Të tjerat janë heqje zvarrë. PSD-ja ka qëndrimin e vet dhe nuk është për gjoja reforma, të cilat janë absolutisht të paradështuara. Çdo ndryshim, duhet të fillojë me ndryshim qeverie. Të tjerat janë vetëm mashtrim ndaj popullit”, - tha Gjinushi. Për rrjedhojë ai ka kritikuar edhe qëndrimin e PS për çështjen e Presidentit të ri, duke e konsideruar atë si shmangie të vëmendjes nga problemet vërteta. “Nuk e di ku është meraku, a do jetë Topi më President apo jo, kur i gjithë meraku i shqiptarëve sot është që nuk shtyhet më me këtë qeveri. PS dhe opozita këtë e ka shumë të qartë, por besoj se po bën lëvizje shumë të gabuar që po e çon vëmendjen se kush do jetë Presidenti dhe nuk jep alarmin që kjo qeveri duhet të ikë një orë e më parë si shkaktarja e të gjitha këtyre që ndodhin në Shqipëri”, - u shpreh Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›