Mjedisi, ja programet e mbrojtjes nga KESH
Sipas raportit të 2010-ës të KESh-it, vlerësohet se respekti ndaj mjedisit është një nga parametrat kryesorë në përcaktimin e strategjisë së përgjithshme dhe aktiviteteve ditore të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Strategjia mjedisore e Korporatës ndërtohet në përputhje me legjislacionin europian dhe atë vendas për mjedisin. Për të mbrojtur mjedisin nga ndotjet e hidrocentraleve dhe termocentraleve, në strukturën institucionale të KESH-it është ngritur Njësia e Menaxhimit të Mjedisit (NJMM). Kjo Njësi në bashkëpunim me Njësitë dhe me Ministritë përkatëse kanë përgatitur plane masash për menaxhimin e mjedisit për të gjithë strukturat e KESh-it. Të gjitha këto programe janë zhvilluar në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe udhëzuesit të ISO 14001. Në Janar 2005 Shqipëria nisi punën për Përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit mbi Ndotësit Organik të Qëndrueshëm (NOQ), si kërkesë e Konventës së Stokholmit. Qëllimet e Konventës janë eliminimi i prodhimit dhe përdorimit të NOQ-ve (PCB) si dhe të stoqeve ekzistuese të tyre. Në kuadër të respektimit të kërkesave të Konventës, Njësia e Menaxhimit të Mjedisit nëpërmjet konsulencës së huaj përgatiti Raportin për inventarizimin e PCB-ve (polychlorinated biphenyls), pjesë e projektit për parandalimin e NOQ-ve në Shqipëri, si dhe hartoi Politikat Mjedisore dhe Plan Veprimet mbi: parandalimin e rrjedhjes së vajrave dhe substancave të klasifikuara si të rrezikshme; kontrollin dhe masat zbutëse/eliminuese ndaj tyre, përgatitjen për përballimin e situatave emergjente për të parandaluar dhe zbutur ndikimet në mjedis të ndotësve të rrezikshëm. Nëpërmjet këtij procesi, synohet zbatimi i aksioneve të nevojshme për parandalimin dhe zvogëlimin e ndotjeve, përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes mjedisore, shkarkimet në mjedis brenda vlerës së normave të lejuara si edhe trajnimi dhe ndërgjegjësimi i personelit që ka në shfrytëzim këto pajisje. Gjithashtu, me qëllim sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për rëndësinë e vlerësimit të ndotjes së mjedisit dhe ndikimit të saj në shëndetin e tyre, në qershor 2009 u nënshkrua një marrëveshje me komunitetin, e quajtur “Vlora Eco Watch”. Firmëtarë të kësaj marrëveshjeje ishin universiteti i Vlorës, “Ismail Qemali”; Këshilli i Qarkut të Vlorës, disa organizata joqeveritare lokale dhe kombëtare me fokus mjedisin, Korporata
Elektroenergjetike Shqiptare dhe njësia e saj TEC Vlorë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, palët nënshkruese që përfaqësojnë opinionin e gjerë publik, kanë të drejtë të ushtrojnë
kontrollet e tyre mjedisore, të konsultohen me Njësinë e Menaxhimit të Mjedisit dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces. Kompania KESh sh.a. dhe njësia TEC-Vlorë në mënyre të vazhdueshme do të publikojnë të dhënat mjedisore që do të monitorohen gjatë fazës së shfrytëzimit si dhe çdo ndërhyrje ose përmirësim të ri teknologjik në këtë objekt.