Rriten interesat e tregut primar
Përveç individëve, edhe bankat po paguajnë kosto të lartë nga huadhënia. Bankat e nivelit të dytë kanë reaguar nga rritjet e njëpasnjëshme të normës së interesit. Kësaj radhe bëhet fjalë për tregun primar, i cili ka marrë orientim sipas lëvizjes së normës së interesit, por edhe nga faktorët e tregut. Rritja e normës së interesit ka përcjellë rritje të tyre edhe tek bonot e thesarit dhe instrumentet e tjerë të tregut primar. Kjo ka sjellë që në ankandet që janë zhvilluar në huadhënien e tregut ndërbankar, prezenca të jetë e pakët. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ka sjellë një hezitim të bankave të nivelit të dytë për të investuar në tregun primar të bonove të thesarit, sidomos gjatë muajit dhjetor. Por, mesa duket, bankat e kanë gjetur zgjidhjen, duke preferuar më shumë investime në tregun e obligacioneve me maturim dyvjeçar. Tregu primar ka reaguar menjëherë pas rritjes së normës bazë të interesit, duke shkaktuar zhvendosje paralele të yield-eve të bonove të thesarit, por këto kanë rënë përsëri në fillim të këtij viti. Në raportin e saj, Banka e Shqipërisë shpjegon se yield-et e bonove të thesarit u rritën në muajin tetor pas rritjes me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit në fund të shtatorit dhe pësuan një ulje të lehtë në muajin nëntor, si rezultat i refuzimit të disa ofertave me interesa të larta. Po ashtu, nga analiza që i bëhet tregut me rritjen e dytë të normës bazë të interesit në fund të muajit nëntor, yield-et pësuan një tjetër zhvendosje, këtë radhë me një magnitudë më të lartë se sinjalizimi i politikës monetare. Gjatë muajit dhjetor u vu re një hezitim i bankave për të investuar në tregun primar të bonove të thesarit. Kjo gjë solli nga njëra anë çlirim të likuiditetit, ndërsa nga ana tjetër rritje të yield-eve, në kushtet kur të gjitha ofertat u pranuan për të realizuar kufirin e financimit të brendshëm të deficitit. Në fund të muajit dhjetor, yield-et kapën nivelin 6.49 për qind për maturimin 3-mujor dhe 8.41 për qind për atë 12-mujor ose 0.46 pikë përqindjeje dhe 0.36 pikë përqindjeje mbi nivelet e muajit nëntor (përpara rritjes së normës bazë). Në dy muajt e parë të vitit 2008, interesat e bonove të thesarit në tregun primar janë stabilizuar pranë niveleve të muajit nëntor. Krahasuar me një vit më parë, interesat 12-mujore janë rritur më shpejt se ato 3-mujoret, duke bërë që kurba e tyre të pjerrtësohet gjatë vitit 2007. Në këtë mënyrë u theksua më tepër preferenca e sistemit bankar për të zhvendosur portofolin drejt obligacioneve dyvjeçare, duke ulur atë në bono thesari. Kjo prirje është në linjë me politikën për financimin e brendshëm, ku shumat e emetuara për obligacionet kanë tejkaluar ato të maturuarat. Duke shfrytëzuar ecurinë e treguesit të financimit të brendshëm në fund të vitit, pjesëmarrësit në ankandet e obligacioneve dyvjeçare ushtruan presion në rritjen e tij deri në 8.60 për qind. Ky tregues zbriti përsëri në janar të këtij viti në nivelet e nëntorit, 8.35 për qind. Interesat për obligacionet 3-vjeçare është rritur me 0.65 për qind në tremujorin e katërt, por ky kërcim është shkaktuar më së shumti nga pjesëmarrja e ulët në këto ankande. Në muajin dhjetor u emetuan për herë të parë obligacione me maturim 7-vjeçar. Ajo çka duhet theksuar në këtë zhvillim, është jo vetëm prirja për të zgjatur afatet e borxhit, por edhe pjesëmarrja e institucioneve të huaja financiare në financimin e deficitit publik.