KESH, i gatshëm për ndërtimin e HEC të Skavicës
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shpreh gatishmërinë për marrjen përsipër të nisjes së procedurave për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, në krye të kaskadës së lumit Drin, me partneritet publik dhe privat, si dhe përqendrimin e investimeve të korporatës në këtë sipërmarrje strategjike për vendin. Lajmin e bënë publike burimet zyrtare të KESH, të cilat kanë sqaruar se ky bashkëpunim nuk mund të realizohet pa bashkëpunimin, ndihmën dhe investimet e vyera të donatorëve dhe partnerëve. Për këtë nismë, KESH ka kërkuar edhe ndihmën e donatorëve për shkak se projekti kërkon financime të mëdha. Skavica përbën edhe nënën e digave në sensin e ushqimit të tyre të pandërprerë, me sasitë e nevojshme të ujit për turbinat e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Skavica, jo vetëm që shton rreth 350-400 megavat prodhim energjie, por ajo optimizon tërë funksiononim e kaskadës. Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës është një projekt i tre dekadave më parë, i cili nuk mundi të aplikohej në terren. Sipas projektit të atëhershëm, HEC-i i Skavicës është i pari në linjën e tre hidrocentraleve të tjerë që janë ndërtuar mbi Drin, Fierzë, Koman dhe Vaun e Dejes. Gryka në të cilin është parashikuar vendosja e digës është shumë e ngushtë, çka e bën edhe më të përshtatshëm shfrytëzimin e tij. Gjithashtu, referuar projektit të 30 viteve më parë, HEC-i parashikohet të ndërtohet në një lartësi rreth 485 metra, ndërsa volumi i liqenit kap shifrat e 6.5 miliardë metër kub ujë me një kapacitet depozitimi rreth 1.9 miliardë kE/h energji elektrike. Sipas këtij projekti, liqeni përmbyt sipërfaqe të konsiderueshme toke në territorin e Maqedonisë. Gjatë viteve të fundit ka pasur interes nga disa kompani europiane për ndërtimin e tij, të cilat me pas janë tërhequr për shkak të krizës ekonomike. KESH-i prodhon aktualisht energji më shumë se më parë, jo vetëm si rrjedhojë e situatës së mirë hidrike, por dhe në sajë të një menaxhimi dhe administrimi profesional si dhe proçedurash tejet transparente në funksionimin dhe raport me partnerët e tij. Një nga objektivat kryesore të KESH-it është rritja e vlerave të aseteve, që administron jo vetëm në saj të investimeve, por dhe në saj të një mirë menaxhimi dhe rritjes së portofolit financiar. KESH-i është sot në gjendje më të mirë financiare, për shkak se prej mëse një viti nuk importon asnjë Kë/h, si dhe për shkak të likuiditeteve që ka grumbulluar nga eksporti i energjisë elektrike. Performanca ekonomiko – financiare përgjatë vitit 2010 njohu rritje, ku prodhimi vendas arriti shifrën rekord prej 7600 GËh. Fitimi i realizuar ishte 91% më i lartë se ai i planifikuar, ose 4 herë më i madh se një vit më parë, dhe njëkohësisht shpenzimet u ulën me 2.7 miliardë lekë. Gjatë vitit 2010, KESH arriti të shlyejë të gjitha detyrimet dhe borxhet ndaj institucioneve të huaja dhe shtetit, si edhe shumicën e kredive ndaj bankave të nivelit të dytë, duke i reduktuar nga 147 milionë në 66 milionë Euro. Një program investimesh për rritjen dhe diversifikimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit, janë prioritetet tona më të afërta, të cilat do rrisin sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Me rëndësi të veçantë për KESH sh.a. mbetet angazhimi juaj dhe i institucioneve që përfaqësoni për realizimin e investimeve për rritjen e eficencës, rritjen e kapaciteteve gjeneruese dhe rritjen e sigurisë së operimit të impianteve gjeneruese.