KESH i mbron digat sipas modelit zvicerian
Koncepti i projektit dhe përgatitja e procedurave të mirëmbajtjes të sigurisë për çdo digë, është bazuar në ligjet dhe instruksionet në lidhje me sigurinë e digave në Shqipëri dhe ligjit zviceran të sigurisë së digave, njoftojnë burimet zyrtare të KESH. Rreziku i dëmtimit të digës reduktohet me mirëmbajtjen e mirë, me sigurinë strukturore të digës dhe strukturave përkatëse. Planet ekzistuese janë ilustruar në Planet e Veprimit të Brendshëm Emergjent (IEAP), dhe përmbledhin të gjitha komponentët e nevojshëm teknikë që janë të nevojshme për menaxhimin e sigurisë së Kaskadave të Drinit dhe të Matit, duke marrë parasysh dukuritë e ndryshme të mundshme kritike të tilla si përmbytjet, tërmetet, sabotimet etj. Në këtë kuadër rehabilitimi i shkarkuesve në Fierzë, Koman dhe Vaut të Dejës, konsiderohet një nga prioritet e KESH. Mirëfunksionimi dhe operimi i portave të shkarkimit në hidrocentralin e Fierzës Komanit dhe Vaut të Dejës, është mjaft i rëndësishëm dhe ndikon drejtpërsëdrejti në aspektet e sigurisë së digave dhe mirëmenaxhimin e rezervës hidrike në kaskadën e lumit Drin. Për këtë qëllim është përcaktuar një ndërhyrje e thellë rehabilituese në portat e shkarkimit e cila konsiston në inspektimin e detajuar të pjesëve dhe strukturave mbi ujë si dhe pjesëve dhe strukturave të zhytura nën ujë, përfshirë inspektimin me zhytësa. Gjithashtu përfshihet edhe rehabilitimi i mekanizmit të ngritjes, zëvendësimit të panelit elektrik të komandimit, riparimin e elektromotorëve, zëvendësimin e kavove të çelikut, permistopat dhe mbrojtjen nga korrozioni, zëvendësimin e sistemit hidraulik të komandimit motor/pompa/ valvola etj. Rrjedhjet në portat e shkarkimit të shkarkuesve në hidrocentralin e Vaun të Dejës, ka qenë arsyeja për nevojën e një ndërhyrjeje të përshtatshme për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e portave të shkarkimit. Me qëllim që të kryhen këto punime rehabilituese, është propozuar realizimi i një projekti dhe implementimi i një porte remonti me kërkesat për një fleksibilitet në manovrim, montim dhe operim të thjeshtë dhe ekonomik. Rehabilitimi i hidrocentralit të Komanit përfshin rehabilitimin e pajisjeve hidromekanike, pajisjeve elektrike si edhe instalimin e ri të sistemit të kontroll-monitorimit. Rreziku sizmik në digë konsiderohet shumë më i madh se sa mund të konsiderohet për ndërtimin e strukturës së kullës së shkarkimit. Për sigurinë e digës, është e rëndësishme që struktura e kullës së shkarkimit të jetë në gatishmëri në bazë të vlerësimit të sigurisë nga tërmetet. Kështu që vetëm deformime të vogla joelastike dhe lineare-elastike të llogaritura mund të pranohen. Për kullën e tunelit nr.3 të shkarkimit janë parashikuar disa masa riparuese dhe përforcuese. Në digën e Ulzës janë parashikuar ndërhyrje në galeritë e drenazhit të cilat përmbyten gjatë punës së agregateve. Fugat e trupit të digës gjatë këtyre 19 viteve nuk janë mbushur me material izolues bitumioz. Me qëllim që të eliminohen filtrimet nga fugat e trupit të digës. Shkarkimet e plotave kanë një impakt në bjefin e poshtëm të hidrocentralit të Komanit si dhe pjesën e poshtme të digës. Provat dhe puna e shkarkuesve në të shkuarën në Koman kanë shkaktuar dëmtime serioze në këtë zonë, duke shkatërruar strukturat e betonit gjatë bregut të djathtë që mendoheshin se do të mbronin ndërtesën e Centralit. Shkarkimet në këtë zone, kanë krijuar një basen uji rreth 20 m të thellë dhe gjatë shkarkimeve vala e ujit që kthehet, shkakton erozion në pjesën e poshtme të digës. Gjatë zbatimit të këtij projekti do të merren në konsiderate trajtimi i këtij baseni, masat mbrojtëse të brigjeve të kanalit të daljes, si dhe rehabilitimi dhe mbrojtja e fundit të digës.