E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i medaljeve,protagonistët propozuan dhe dekoruan vetveten

 

Ferdinand Dervishi

“Shumë e vështirë të gjesh një vend pune, por aspak e vështirë të gjesh mundësinë të varësh në gjoks një dekoratë meritash”. Kjo duket se është Shqipëria e ditëve që po jetojmë. Largqoftë, do të thotë dikush, si dikur, në kohën e komunizmit..! Definicioni i mësipërm të vjen krejt natyrshëm po të shohësh mënyrën se si përfunduan para Presidentit të Republikës të dekoruarit për meritat e 20 shkurtit 1991 dhe se si nuk përfituan ata që vërtet kishin meritat kryesore, nisur nga artistja e mirënjohur, Rajmonda Bulku. Po le të sjellim pak informacion për mënyrën se si duhet të funksionojë. 
Së pari, duhet kuptuar se për të shkuar para Presidentit të Republikës, për t’u dekoruar, një personazh i caktuar duhet të plotësojë disa merita ekstreme, jo të ngjashme me ato që përmbushin të tjerë personazhe të radhës. Ngjarjet e 20 shkurtit 1991, që kulmuan me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, fabrikuan njerëz që shfaqën merita, rrjedhimisht personazhe që meritonin vlerësime. Por çështja është se në shesh atë ditë ishin mijëra e mijëra. Në këtë rast përzgjedhja logjike bëhet duke veçuar personazhet, që në momente kyçe treguan edhe guxim edhe vetëmohim, duke u vënë në krye të zhvillimeve.
Shkrimi që sjell dyshime
Thënë të vërtetën dekorimet për 20 shkurtin e patën bazën dhe nuk i lëvizën asnjë fije të dhënave të një shkrimi të publikuar në mediat e shkruara fillimisht me autor Saimir Malokun. I njëjti ish i burgosur politik, i njohur për shpikjen e përshtatësit ilegal televiziv, në gjuhën popullore “kanoçe”, të viteve 1975 me anë të së cilit një pjesë e shqiptarëve arrinin të kapnin në aparatet e tyre televizive kanale të huaja, jugosllave e italiane. I njëjti që në mënyrë krejt të habitshme, në gjyqin e zhvilluar ndaj tij në vitin 1976, citohet nga gjykatësi të jetë shprehur se “Enver Hoxha do ta pësojë si Stalini... Atij do i shkatërrohen statujat, do i digjen librat...”. Një profeci që është e vërtetuar edhe me dokumente dhe që nuk mund të mohohet. Por kaptuar këto merita dhe ardhur në vitet 2007-2008, Saimir Maloku ka vënë firmën në krye të një rrëfimi aspak serioz për zhvillimet e 20 shkurtit 1991, pra në të njëjtin dokument që shërbeu si zanafillë për propozimet për dekorime nga Presidenti i Republikës.
Së pari, shkrimi ka përmbajtjen e njëfarë epopeje familjare për Saimir Malokun. Ai ka përfshirë në momentet kryesore të zhvillimeve të 20 shkurtit 1991 gjithë familjen e vet, gruan dhe fëmijët ende vocërrakë, vjehrrin e gjakosur në shesh, kushërinj që kanë tërhequr me makinë monumentin, miq e shokë të shumtë. Por po ta krahasosh shkrimin me të tjerë, të botuar ndër vite, vihet re se ai çalon dhe nuk përputhet në momentet kryesore. Saimir Maloku duket di disa detaje të zhvillimeve pranë Liceut Artistik e Televizionit Shtetëror, por është krejt i paqartë dhe me shumë gabime të rënda kur përshkruan momentet e rrëzimit të monumentit. Ndërsa përmes shkrimit të tij, të habit fakti se si Saimiri shkruan se që më 19 shkurt 1991, pra një ditë më parë, ai kishte bërë plane me gratë e lagjes për të mbrojtur në shesh, në momentin kur do të sulmohej statuja, Liri Berishën, bashkëshorten e Kryeministrit aktual Sali Berisha. Tekstualisht: “Gjithashtu ai (Saimiri) dha detyrë disa grave që të mbronin Zonjën Liri Berisha nga provokatorët e Sigurimit (Babai i Saimirit si dhe ai i Zonjës Liri ishin shokë tepër të ngushtë)...” Pyetja e madhe që del këtu është: Nga e dinte S. Maloku që zonja Liri Berisha do të ishte në shesh një ditë më pas? Më tej, teksa përshkruan ngjarjet e 20 shkurtit 1991 pranë Liceut Artistik, S. Maloku shkruan se si aty gjendej edhe zonja Liri Berisha me djalin 10 vjeç, se si e njëjta mori në mbrojtje një vajzë të vogël, që ishte ndarë nga prindërit, se si policët e njohën dhe i lëshuan qentë dhe se si gratë e mobilizuara nga S. Maloku e shpëtuan. Të gjitha këto përshkrime janë të habitshme, pasi përgjatë 18 viteve të shkuara në asnjë rast nuk është pohuar që zonja Liri Berisha të ketë qenë e pranishme në këtë ngjarje dhe për më tepër edhe vetë ajo nuk e ka reklamuar kurrë këtë. Por çuditë vazhdojnë dhe janë më mbresëlënëse kur Maloku përshkruan ngjarjet në shesh. Këtu, veç protagonistëve familjarë dhe shoqërorë që përmenden shpesh, i pakalueshëm, si mur i lartë, ngrihet një tjetër fakt, që vihet re në shkrim. Sipas Malokut, një i kushëri i tij afroi makinën IFA me të cilën u tërhoq dhe u hodh përtokë monumenti i Enver Hoxhës. Eh, këtu boll! Sepse një popull i tërë i ka parë pamjet filmike që tregojnë qartë se si monumenti u rrëzua duke u tërhequr me krahë. Madje, të gjithë kujtojnë lëvizjet e tij, para-mbrapa, që në asnjë rast nuk mund të ndodhnin nëse nga pas statuja do të tërhiqej me kavo e makinë. I kontaktuar nga gazeta Saimir Maloku këmbënguli fort në këtë version tijin, por në një moment të dytë e pohoi “gabimin”. “Kanë kaluar shumë vite. Për këtë shkak kam gabuar”, tha. Po a ka një logjikë që të vihet në mes dhe të argumentojë se harresa mund të ndodhë, se filmi mund të shuhet, në pikën kulmore të një ngjarjeje kaq të madhe? Kjo është njëlloj sikur të thuash: “Ditën e dasmës shkova në altar me komshien”. Një shtrembërim i tillë, veçse sjell pikëpyetje për prezencën e S. Malokut në ato momente në shesh, korrupton përmbajtjen e shkrimit me anë të radhëve të së cilit u bënë publik të gjithë personazhet që u dekoruan më pas nga Presidenti. Po përse? Përse duhej të “korrigjohej” historia edhe në këtë pikë? Mos me të vetmin qëllim që të dekorohej edhe një tjetër protagonist me vlera krejt të zakonta? Por këtë radhë mbase është më mirë të mos shkruhet e gjithë e vërteta... Pasi shumica e shqiptarëve të pranishëm atë ditë në shesh e meritojnë vlerësimin vetëm sepse ishin aty, kuptohet ata që ishin rreshtuar në krah të kundërt me policinë.
Propozimi i Lohan
Sipas rrëfimit të Saimir Malokut, zanafilla e gjithçkaje që shkoi te dekorimet ka qenë një takim i prillit 2008 në selinë e Komisionit Evropian në Tiranë. Një takim ku ka qenë i pranishëm me cilësinë e ish të përndjekurit politik edhe zoti Maloku. Sipas tij, përgjatë takimit, Zoti Helmut Lohan, Ambasador i KE në Tiranë, iu drejtua Ambasadorit amerikan Xhon Withers duke i prezantuar Malokun: “Ky është njeriu që udhëhoqi njerëzit, që rrëzuan simbolet komuniste dhe statujën e diktatorit...” Po sipas Malokut: “Lohan më njihte mua, dinte historinë që rrëzova monumentin”. Pra po të besosh këtë pohim, personazhi ynë kryesor, përgjatë bisedave të lira, ngado qoftë, filluar që nga viti 2007, prezantohet si “rrëzuesi i monumentit”, edhe pse në rastin e mësipërm i merr të gjitha meritat për vete, në formën e kryer të thjeshtë “rrëzova” të foljes. Në vijim ambasadori amerikan e pyet Malokun nëse ishte dekoruar dhe merr përgjigje negative. Në këtë moment, sipas të njëjtit, Lohan thërret zotin Aleksandër Flloko, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës dhe i thotë: “Dekorojini këta njerëz që janë heronj të demokracisë! ...Sepse do të hyni në NATO dhe BE pa dekoruar heronjtë e demokracisë”. Në bisedë, sipas rrëfimit të Malokut, ka ndërhyrë edhe zonja Lohan, e cila duke u vënë veshin fjalëve, ka sugjeruar që gjysma e të dekoruarve për këtë çështje të ishin medoemos femra. Aty, Flloko i thotë Saimirit: Përgatisni dokumentacionin për dekorim, ne do të bëjmë punën tonë. Por krejt çuditshëm pa shkuar deri këtu, në fillim të vitit 2007, Saimir Maloku e kishte botuar një shkrim për rrëzimin e monumentit, një shkrim që kishte përmbajtje të njëjtë me të tjerët që u botuan pas takimit me Lohan dhe Withers. I pyetur se përse nuk e shkroi historinë e vet për 16 vite me radhë pas ngjarjes, Maloku tha se kishte pasur shumë frikë nga hakmarrja e komunistëve!? Ndërsa pyetja e radhës, se përse frika i kishte ikur vetëm më 2007 dhe jo që më 2005, kur pushtetin e mori sërish Partia Demokratike, nuk gjeti një përgjigje të vlefshme.
Procedurat për dekorimet
Sipas Malokut, menjëherë pas këtij takimi, ata, do me thënë ai vetë, por edhe drejtues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës, ngritën një grup pune të përbërë nga 12 vetë me qëllim identifikimin dhe propozimin e merituesve të dekoratave. Hapi i parë i këtij grupi bëhet mbledhja e firmave nga shoqata, organizata e institucione të ndryshme si dhe nga personalitete. Ndërsa teksti përfund të cilit duhet të firmosnin, kishte si propozim të parë shpalljen e datës 20 shkurt 1991 “Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste” dhe si propozim të dytë dekorimin e protagonistëve kryesorë nga Presidenti i Republikës. Shkresa zyrtare që ftonte shoqatat apo institucionet e ndryshme për aprovim paraprak u nënshkrua sigluar nga një numër i shumtë personazhesh publike, të cilët në shumë raste nuk kishin lidhje me ngjarjet e 20 shkurtit 1991. Pra lista ishte thjesht një konglomerat, ku një pjesë e firmëtarëve e meritonin të lëshonin një pëlqim, ndërsa të tjerë aspak. Kështu firma pëlqimi apo rënieje dakord, kishin lëshuar që nga drejtori i Institutit për Integrimin e ish të Përndjekurve Politikë, shkuar te drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit e përfunduar te drejtori i Institutit Kombëtar të Jetimëve. Përshtypje të bën se disa nga këto subjekte përmes dokumenteve që lëshojnë thonë se janë dakord me të dy propozimet, ndërsa një pjesë, të kategorisë së shoqatave të jetimëve, shkruajnë se janë dakord të dekorohen një listë e propozuar njerëzish, pa u shprehur fare për kërkesën e parë të propozimit. Kulmi i kësaj historie mbërrin në momentin kur Saimir Maloku thotë: “I shkova dhjetë herë te dera e zyrës edhe zonjës Liri Berisha, por ajo nuk më priti në asnjë rast”. Pra i dekoruari i madh i 20 shkurtit 1991 dëshmon se ka qenë ai vetë që është marrë më grumbullimin e firmave, një tjetër nonsens, pasi kjo është njëlloj sikur të duash të dekorosh Ambasadorin Amerikan dhe t’i kërkosh që të mbledhë edhe firmat dhe të merret me të gjitha procedurat për dekoratën e tij. Ndërsa gjithçka zhytet edhe më tej në mister, kur Maloku pohon: “Liri Berishën deshëm ta dekoronim si Pishtare të Demokracisë”. Ky është një tjetër xhevahir që thotë se Saimir Maloku jo vetëm që po përgatiste dokumentet për dekorimet, jo vetëm po bënte listën e merituesve të dekoratave sipas bindjes së tij, por edhe ishte i sigurt njëqind për qind se të gjithë të propozuarit e tij do të dekoroheshin.
Përfundimisht Presidencës më 9 shkurt 2009 i shkon një shkresë me titull “Kërkesë për dekorime” me dy koka, nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Integrimit të së Burgosurve politikë dhe Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës. Ndërsa në lëndën e temës ka vetëm një objekt: Lista e institucioneve e të tjera të ngjashme, që kanë propozuar dekorimin e disa prej protagonistëve kryesorë të 20 shkurtit. Pra, përfundimisht kërkesa e parë, me ndihmën edhe të së cilës u grumbulluan firmat, ajo e shpalljes së datës 20 shkurt si “Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste”, kishte avulluar. Në fund të së njëjtit dokument janë rreshtuar edhe propozimet, të cilave Presidenti nuk u lëvizi asnjë presje. Ku më shumë përshtypje të bën propozimi për dekorimin e “Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe Torturës” nën epitetimet “për kontributin e ndihmën e madhe që kanë dhënë për rehabilitimin psikologjik dhe përkrahjen sociale, mjekësore, edukative të së mbijetuarve të torturës, për dhjetëra-mijëra ish të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre, ish-protestuesit e ngjarjeve të 20 shkurtit 1991, afro 70 mijë të ardhurish nga Kosova etj”. Pra kjo qendër, është dekoruar edhe pse nuk ka ekzistuar fare në vitin 1991 dhe disa vite të tjera më pas. Ndërkohë që del se në asistencën e saj kanë kaluar 20 për qind apo më tepër e të gjithë kosovarëve të deportuar me forcë në Shqipëri gjatë luftës së viteve 1998-1999. Një nonsens nga “a” në “z”, pasi objekti i propozimeve për dekorime ishte ngjarja e 20 shkurtit 1991.  
Përfund gjithçkaje e vërteta më e rëndë që provohet del se ka lidhje me procedurat që u zbatuan për të shkuar te këto dekorime. Se nëpunësit e nderuar të Presidencës, ata të sektorit të dekorimeve, nuk e kanë vrarë mendjen të ngrenë një grup pune me qëllim që të përcaktonin, përmes shumë pretenduesve, merituesit e vërtetë të dekoratave për 20 shkurtin 1991. Krejt habitshëm gjithçka u është lënë në duar pikërisht një pjese të pretenduesve për dekorata. Pra atyre u është kërkuar të mbledhin firmat mbështetëse, të bëjnë propozimet për dekorime dhe të hartojnë listën e merituesve. Kjo vërtetohet edhe nga dëshmia e Saimir Malokut, i cili i vënë përballë faktesh të forta, u rrëfye duke thënë: Po nuk qau, fëmija nuk pi qumësht nga nëna. Ne u përpoqëm të dekoroheshim si ish të persekutuar të Rrugës së Kavajës dhe ia dolëm mbanë. Të tjerët le të aplikojnë po të duan”. Përfundimisht mbi listën që u paraqit, Presidenti Bamir Topi, pa pasur asnjë faj të dukshëm, hodhi firmën e aprovimit. Pasoja: U lanë jashtë të gjithë personazhet kryesorë të ngjarjes. Dhe kjo është TURP. 

Astrit Hatellari: Statuja u rrëzua e tërhequr me litar
Përkundër versionit nga u morën të dhënat për dekorimet, në një intervistë të tij për gazetën “Shqip” të datës 22 shkurt 2009, Astrit Hatellari, pohon se statuja e Enver Hoxhës u rrëzua duke u tërhequr me një litar. I dekoruari për 20 shkurtin 1991 natyrshëm që e njeh mirë këtë detaj, pasi litarin e ka lidhur me duart e tij. “Kemi qenë gati 50 a më shumë të rinj, të cilët po përpiqeshim të shtynim me supe ndërkohë që pjesa tjetër e turmës mundohej të largonte policët prej nesh. Por duke qenë se ishte e pamundur ta rrëzonim me të shtyra, pasi kishim frikë se mos vriste edhe njerëz të tjerë, dy miqtë e mi, Agron Spaho dhe i vëllai, kanë ndalur një makinë ku i morëm një kavo dhe një litar. Më pas, më kanë ndihmuar të hip mbi bust që ta lidhja, mbaj mend që kam hipur në bust dhe qëndroja te duart, pasi më lart nuk mund të hipja. Për pak minuta u mundova t‘i hidhja litarin në kokë të bërë si lak, por busti ishte i madh, lëvizte dhe një gjë të tillë nuk arrita ta bëj dot. Ndaj ja kam lidhur litarin te gishtat e bustit, të cilin më pas e kanë tërhequr dhe i kanë vënë kavon në kokë”. Më tej Hatellari thotë se pas ngjarjes “policia arrestoi Agron Spahon me të vëllanë, duke i mbajtur nën tortura për 2-3 muaj me radhë”.

Gëzim Shima: Nuk e njohim fare Malokun
“Nuk e njohim fare Saimir Malokun”, ishte përgjigjja e parë e Gëzim Shimës, ish-kryetarit të parë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. “Habitem se si kujtohet pas 18 vjetësh për të publikuar se ka qenë ai njeriu, që organizoi rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Patjetër që ish-të persekutuarit kanë merita në këtë zhvillim, por nuk më duket se është pikërisht ky personazhi që duhet t’i përfaqësojë. Pas dekorimit të tij dhe të së tjerëve kam biseduar edhe me Eqerem Kavajën, ish i persekutuar politik, i cili më konfirmoi se për herë të parë po dëgjonte emrin e S. Malokut”, tha Shima. Sipas tij, barrën kryesore në ngjarjet e asaj dite e mbajtën Sindikatat e Pavarura, pasi ishin të organizuara, ish të persekutuarit si dhe gjithë populli i Tiranës.

Tanush Mulleti: Maloku më kërkoi firmë, s’i dhashë  
“Saimir Maloku erdhi e më takoi te Shoqata e Pronarëve duke më kërkuar firmën, që ta mbështesja për dekorimet, por refuzova duke i thënë se nuk më bindnin ato që kishte shkruar në gazeta. S’është ngjarja ashtu si e keni shkruar juve, unë njoh të plagosur e të arrestuar, emrat e të cilëve nuk i pashë në shkrimin tuaj...”, ishte rrëfimi i Tanush Mulletit, ish i internuar, një nga pjesëmarrësit e ngjarjeve të 20 shkurtit 1991, për takimin me Saimir Malokun. Më tej, përgjatë kontaktit me gazetën Tanush Mulleti shpjegoi se më 20 shkurt 1991 kishte qenë i pranishëm në pothuaj të gjitha episodet më kulmore të ngjarjeve. “Statuja u tërhoq me një litar jeshil. Ndërkohë unë kam dorëzuar në Muzeun Historik Kombëtar një pjesë të kavos me të cilën u tërhoq statuja e rrëzuar. Numri i kartelës së saj është 3501”.

Fatmir Merkoçi: Më 1996 Pollo dhe Berisha bllokuan një mashtrues të dekorohej

Tani Fatmir Merkoçi ushtron profesionin e avokatit, shprehet lirshëm dhe duket se nuk vuan nga asnjë pasojë, kur pyetet se si është ndier që nuk u dekorua nga Presidenti i Republikës për 20 shkurtin 1991. “Askush nuk më ftoi, askush nuk më mori në telefon. Kështu bënë edhe shumë vite më parë, kur u dekoruan një numër i madh protagonistësh me medaljen Pishtar i Demokracisë”, flet shkoqur avokati. Ndërsa zërin e ngre paksa kur i kërkohet një mendim për personazhet e dekoruar. “Veç Astrit Hatellarit, nuk ia kam dëgjuar askujt emrin, përndryshe unë di emra të tjerë shumë herë më të nderuar nga këta që morrin dekorata, di të flas për artisten Rajmonda Bulku, për të nderuarit Gëzim Shima e Eqerem Kavaja, që drejtonin sindikatat e pavarura dhe për shumë të tjerë”, shton Merkoçi. Më tej i njëjti rrëfen se edhe në vitin 1996 ka pasur një personazh të çuditshëm, tip mashtruesi, që për pak u dekorua duke marrë me vete meritat e 20 shkurtit. “Ishte dikush nga Vlora, një biçim biznesmeni, që duket kishte mbledhur një thes me firma, nisur nga strukturat e degës së Partisë Demokratike të Vlorës. Ai shtronte dreka te “Piazza” në qendër të Tiranës shoqëruar me personazhe vip. Përfundimisht arriti të propozohet për t’u dekoruar, mori firmën edhe të Tritan Shehut, ish-kryetarit të PD-së, firmat e Shoqatës së të Persekutuarve etj., arriti të takojë në zyrë Presidentin Sali Berisha dhe të publikojë madje një intervistë në gazetën RD. Por në intervistë shkruante se si kishte liruar bulonat e monumentit. Këtu na iku mendja. Sepse monumenti nuk kishte asnjë bulon. Kujtoj se u bllokua në kohë dhe se ata që ndikuan shumë ishin vetë ish-presidenti Sali Berisha dhe Genc Pollo”, e mbyll historinë e tij Fatmir Merkoçi, njeriu që u plagos në shesh më 20 shkurt 1991, teksa ishte i mbështjellë me flamurin kombëtar pa yll të trashëguar në familjen e tij.     
Fe. De.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›