Skocezi Stark, i mrekulluar nga Jahmir Hyka
Trajneri i Skocisë, Billi Stark, paralajmëroi se Shqipëria mund t’i shkaktojë probleme të mëdha Skocisë së tij U-21, me gjithë fitoren e arritur në transfertë. Një penallti e vonshme e realizuar nga Kris Meguajër i dha Shpresës së Skocisë një fitore 1-0 në Elbasan të shtunën e kaluar, në ndeshjen hapëse të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-21. Skocia tani do të presë Shqipërinë në stadiumin e Falkirkut, por Billi Start bëri të ditur se kundërshtarët nuk janë prej një kohe të gjatë si një nga kombëtaret më të dobëta në Europë. “Janë vetëm një apo dy ekipe që ju mund t’i përcaktoni me termin të ‘vegjël’, të tilla si San Marino apo Andora, por jo vende të tilla (si Shqipëria)”, - tha Stark. “Shqipëria U-21 ka një organizim të mirë dhe formë të mirë fizike, kështu që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne”, - citohet Billi Stark nga Sportinglife.com. Ekipi shqiptar pati në gjirin e tij edhe Jahmir Hykën, i cili rregullisht luan me përfaqësuesen A dhe është lojtar i Maincit në Bundesligën 2 gjermane, e Stark mbeti i befasuar nga ai dhe disa lojtarë të tjerë të përfaqësueses shqiptare. Stark paralajmëroi se Skocia do të punojë fort për të përballuar fizikisht sfidën me kundërshtarët e tyre. “Shqipëria U-21 thirri një djalosh nga skuadra e parë Kombëtare, Hykën, i cili ishte më të vërtetë një lojtar i mirë, shumë i shpejtë dhe krijues”, - shtoi Stark. “Ata kanë dhe dy ose tre lojtarë realisht shumë të mirë dhe ata kanë gjithashtu një avantazh real fizik më të mirë se ne. Unë mund të them se ata kanë pesë lojtarë, përfshirë dhe portierin, që janë mbi 180 cm. Ne nuk kemi të tillë në skuadrën tonë, por kemi cilësi të tjera dhe shpresojmë se do t’i përdorim kundër tyre”.
Stark shpreson se do të ketë në skuadër të gjithë lojtarët, përfshirë edhe mbrojtësin e Sëlltikut, Xhejson Mër, i cili nuk luajti në takimin e parë në Elbasan. “Askush nuk është raportuar të ketë ndonjë gjë serioze”, - tha Stark, një ish-lojtar i Sëlltikut e Aberdinit. “Xhejson Mër mungoi të shtunën për shkak të një dëmtimi, por tani është duke u stërvitur me ne. Shpresojmë që ai do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e së mërkurës”.
U-21
Skoci-Shqipëri 18:30
Ndeshja e parë
Shqipëri-Skoci 0-1
1 Prill 2009