E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH paraqet të dhënat e fundit. Situata u përmirësua, por mbetet e paparashikueshme

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare uli shkarkimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës në 1400 metër kub në sekondë gjatë ditës së djeshme nga mbi 2 mijë metra kub në sekondë që ishin të premten dhe të shtunën. Gjatë pasdites së djeshme, shkarkimet në Vaun e Dejës u ulën deri në 1200 metra kub për sekondë, niveli më i ulët i regjistruar në një javë. Ulja e shkarkimeve u mundësua nga rënia e prurjeve në liqenin e Fierzës dhe atë të Komanit. Shkarkimet po mbahen afro dy herë më të larta se sa prurjet e Drinit, me qëllim që të krijohet një hapësirë manovre për të pranuar prurje më të mëdha gjatë ditëve të ardhshme, nëse shirat vijojnë. Përmbytjet në zonën e Nënshkodrës shkaktohen zakonisht kur derdhjet në Vaun e Dejës janë më të mëdha se 1500 metra kub për sekondë. Situata hidrike në vend qe më e përmirësuar gjatë ditës së djeshme, por e ardhmja mbetet e paqartë, pasi moti me shi në të gjithë rajonin mund të shkaktojë rritje të prurjeve. Sipas të dhënave më të fundit të komitetit ndërministror të emergjencave, niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka rënë në 291.58 metra nga 293 që arriti maksimumin në mesjavë. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, në janar, niveli në këtë hidrocentral nuk duhet të jetë më i lartë se 290 metra mbi nivelin e detit, me qëllim që të grumbullohen prurjet e forta të pranverës. Niveli maksimal i lejuar në këtë hidrocentral është 296 metra. Të dhënat më të fundit tregojnë se deri në mesditën e djeshme, prurjet në Fierzë kanë arritur në 650 metër kub ujë në sekondë. Fierza ka një liqen artificial me sipërfaqe 73 kilometra katrorë.
KESH njofton se në të tre hidrocentralet po vazhdon të shkarkohet ujë përmes portave të sigurisë, ndonëse në sasi më të ulëta se sa një ditë më parë. Sipas të dhënave, në Fierzë është duke u shkarkuar 400 metër kub ujë në sekondë. Në Koman shkarkimet janë rreth 1700 metër kub. Në këtë hidrocentral niveli i ujit ka rënë me më shumë se një metër krahasuar me dy ditë më parë, duke arritur kuotën 170 metra, ndërsa Vau i Dejës ndodhet në kuotat 74.34 metër. KESH shpreson se nëse prurjet nuk shtohen, Fierza do të kthehet në kuotën 290 metra brenda dy ditëve. Pas kësaj, situata e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës mund të fillojë të përmirësohet. Rrallimi i derdhjeve në Vaun e Dejës uli nivelin e ujit mbi një segment të ulët gjatë rrugës kombëtare Tiranë-Shkodër pranë kthesës së Bërdicës dhe në mbrëmjen e djeshme ky segment u bë i kalueshëm. Nëse situata mbetet konstante gjatë ditëve të ardhshme, Buna mund të fillojë të tërhiqet në shtratin e vet. Por niveli i prurjeve ndryshon orë pas ore dhe asnjë parashikim i vlefshëm nuk mund të bëhet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›