Situata krijon panik mes banorëve. Pritet ulja e prurjeve të Bunës për normalizimin e situatës
Pas përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës dhe lagjeve periferike: “Ajasëm”, “Bahçallëk” e “Livade”, dje uji ka përparuar në brendësi të qytetit të Shkodrës. Në hyrje të lagjes “Xhabije”, vetëm 800 m larg sheshit kryesor në qendër të qytetit, uji ka mbuluar rrugët në një sipërfaqe prej 1200 m 2, ndërsa niveli i tij ka qenë rreth 25 cm. Situata më tepër se problem në trafikun e automjeteve ka shkaktuar panik mes qytetarëve, të cilët nuk kishin parë asnjëherë që prurjet e lumit Buna, të vinin deri poshtë pallateve ku jetojnë. Teksa kanë parë ujin të vërshojë nëpër rrugë, banorët e lagjes në hyrje të qytetit kanë menduar se tashmë uji do të pushtojë qytetin. Por pavarësisht situatës së krijuar, kalimi i automjeteve ka vazhduar normalisht dhe nuk ka pasur probleme në qarkullim. Niveli i ujit nuk ka ndryshuar qysh prej orëve të mëngjesit, por situata duket optimiste kur bëhet e ditur se niveli i Drinit dhe Bunës është gjithnjë në rënie. Kjo ka bërë që dhe paniku te qytetarët të zbehet për momentin.
Mësohet se shkak për përmbytjen e lagjes “Xhabije” është bërë bllokimi i tubave të shkarkimit të ujërave të bardha të qytetit, që ndodhen pikërisht në zonën e përmbytur të “Livadeve”. Kjo ka bërë që uji të dalë nga pusetat dhe të vërshojë në qytet, nëpërmjet kolektorëve të ujërave të bardha. Ndërkohë, situata e krijuar ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, të cilët fiksonin në aparatet celulare, pamje të një fenomeni që mund të ketë të paktën 60 vjet që nuk ka ndodhur. Në lidhje me situatën e krijuar, drejtues të Bashkisë së Shkodrës shprehen se ulja e nivelit të lumenjve Buna dhe Drin, do të sjellë dhe normalizimin e situatës në lagjen periferike të qytetit. Ndërkaq, ekspertë të pushtetit vendor kanë sqaruar se në një situatë përmbytjeje, ku lumi Buna futet në kolektorët e shkarkimit, nuk mund të mënjanohet futja e ujit në rrugët e qytetit. Pritet që me uljen e nivelit të prurjeve, situata të stabilizohet.
Ndihmat
Në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura të Nënshkodrës deri më tani janë shpërndarë disa dhjetëra tonë ndihma. Pjesa më e madhe janë produkte ushqimore si: sheqer, makarona, vaj ushqimor, oriz, konserva mishi, fasule, kripë etj. Ndërkaq, mësohet se pranë Prefekturës së Shkodrës kanë mbërritur 78 çadra dhe janë dërguar për t’u përdorur për mbrojtje nga ujërat 41 mijë thasë rëre.