Gjiknuri insiston se tragjedia erdhi si rezultat i keqmenaxhimit të strukturave shtetërore

Opozita insistoi dje në kërkesën për largimin e përgjegjësve të situatës së krijuar në Shkodër. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, i bëri apel Kryeministrit Berisha që nëse nuk është fajtor për këtë situatë, atëherë të shkarkojë ministrin Dritan Prifti. “Nëse nuk e ndien veten me faj, Berisha duhet të shkarkojë menjëherë Dritan Priftin, i cili me arrogancë dhe neglizhencë, duket të ketë shmangur çdo kërkesë që përcaktonte rregullorja në fuqi për menaxhimin e prurjeve ujore. Nëse nuk vepron edhe pas gjithë këtyre dëshmive që flasin qartë për përgjegjësitë e ministrit të tij, Berisha duhet të largohet bashkë me të, si ideatori i politikave që parapërgatiti situatën që shkaktoi tragjedinë”, tha ai. Gjiknuri vuri në dukje se dëshmitë e ekspertëve po nxjerrin në pah se tragjedia erdhi si rezultat i keqmenaxhimit nga ana e strukturave shtetërore përgjegjëse për veprat në kaskadën e Drinit, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan përmbytjen më të madhe që ka parë ndonjëherë ky vend. Ndaj, tha ai, në këto kushte, përpara se Berisha dhe eskorta e tij qeveritare të akuzojë opozitën për përhapje paniku, Berisha duhet të kërkojë i pari hetime të thella për shkaqet e tragjedisë, nëse nuk e ndien veten e tij fajtor.
Të njëjtën thirrje për hetime, selia rozë ia drejtoi edhe prokurorisë, e cila, sipas socialistëve, duhet të kishte filluar menjëherë hetimet, dhe jo të presë derisa uji të hyjë në zyrat e saj, e më pas të kujtohet se paska një përmbytje. “çfarë tjetër pritet të ndodhë në këtë shtet që një ministër të largohet, apo një prokuror të fillojë hetimin!?”, tha Gjiknuri. PS bëri me dije se përtej solidaritetit të natyrshëm me të gjithë banorët e dëmtuar dhe strukturat e sigurisë që punojnë pranë tyre, nuk mund të qëndrojë gojëkyçur ndaj shkaqeve dhe përgjegjësive që sollën një situatë të tillë.