Berisha, urdhër qeverisë: Harrojeni orarin zyrtar
Përmbytjet, ministrat, 24 orë pranë banorëve
Administrata edhe në darkë me zyrat e hapura
Pak ditë më parë, shkak për orare të tejzgjatura në punë u bë pyetësori i KE-së. Tashmë janë përmbytjet në zonën veriperëndimore të Shqipërisë që kanë detyruar qeverinë dhe administratën të punojë jashtë orarit zyrtar. Qeveria dhe administrata publike deri në normalizimin e situatës së rëndë të krijuar për shkak të shirave të shumta, duhet të harrojnë 8 orë-shin zyrtar. Ky është urdhri i brendshëm i Kryeministrit Sali Berisha, i cili kërkon nga të gjitha ministritë dhe ekipet përkatëse angazhim të punës edhe jashtë orarit zyrtar. Kjo, me qëllim përballimin e shpejtë të gjendjes së vështirë që erdhi si pasojë e motit të pandërprerë nga shirat në zonën veriore të vendit. Në rast se ministrat janë instaluar 24 orë në Shkodër dhe terren për të ndjekur nga afër situatën dhe për t’iu gjendur pranë banorëve të dëmtuar, edhe zyrat e shtetit qëndrojnë të hapura gjatë gjithë orëve të ditës, por dhe natën votë, për t’iu përgjigjur çdo emergjence që mund të vijë nga Komiteti i posaçëm i Emergjencave Civile me rezidencë në qytetin e Shkodrës. Madje, Kryeministri Sali Berisha ditën e krijimit të këtij komiteti i cili drejtohet nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kërkoi edhe ngritjen e një departamenti të posaçëm të marrëdhënieve me publikun, i cili të informojë shqiptarët në mënyrë transparente për atë çfarë po ndodh në zonat e përmbytura. Në një kohë kur të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar janë non stop 24 orë në funksion të banorëve të dëmtuar, bashkë me ta shërben edhe ekipi i madh i ekspertëve të çdo dikasteri që do të ndihmojë menaxhimin e situatës së përmbytjeve. Por, në rast se intensiteti i punës është më i dukshëm në Shkodër, ku dhe vepron Komiteti Ndërministror i Emergjencave, edhe dikasteret ministrore në Tiranë duhet të rrinë në gatishmëri të plotë dhe pa marrë parasysh asnjë orar zyrtar. Fakti se zona e dëmtuar nga moti i keq vazhdon të jetë në prag të gjendjes së jashtëzakonshme, veçse ka shtuar angazhimin e qeverisë në përballimin me sukses të gjendjes së rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit. Qeveria ka marrë përsipër kompensimin e çdo qindarke dëm të shkaktuar të banorëve të zonës së Shkodrës, Lezhës dhe Kurbinit, si dhe rindërtimin e zonës së dëmtuar. Ndaj, Kryeministri Sali Berisha dhe anëtarët e kabinetit qeveritar çdo ditë u bëjnë thirrje banorëve që të pranojë evakuimin dhe të largohen nga zona e rrezikshme, pasi do të jetë qeveria ajo që do të kujdeset për jetën dhe pronat e tyre.