E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria, turp që merret me opozitën. Topi të mbledhë Këshillin e Sigurisë”

Partia Socialiste kërkoi dje shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar në zonën e Shkodrës. Kreu socialist, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga anëtari i kryesisë, Pandeli Majko, kërkuan ndërhyrjen e Presidentit, i cili, sipas tyre, duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe të diskutojë edhe mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryesocialisti inspektoi zonat e përmbytura në fshatin Trush, Kiras dhe lagjen “Zooteknik" në Shkodër. Ai hodhi poshtë pretendimet e mazhorancës se shtabi i krijuar nga PS është një strukturë paralele me ato qeveritare. Rama e konsideroi një turp që qeveria merret me opozitën, duke deklaruar se strukturat e opozitës janë struktura solidariteti. “Këto nuk quhen struktura paralele, këto quhen struktura solidariteti, dhe këto struktura solideriteti janë shprehje e një vetëdije qytetare europiane në shekullin e 21-të që për fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësi për shkaktimin e kësaj katastrofe dhe kanë paturpësinë që të bëjnë politikë”, tha Rama.
Më i ashpër ka qenë Pandeli Majko, i cili kërkoi që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme për të menaxhuar situatën në rrugë ligjore. “Nëse ka një reagim nga opozita ka të bëjë me shkak-pasojën. Nisur nga qëndrimet e institucioneve përfshi edhe Presidentin, me gjithë respektin që kam për të, që duan t’i japin një pamje roze situatës dëshiroj të them se nuk ka nevojë për deklarime komisarësh. Vlerësimi në këndvështrimin tonë kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë dhe hapjen e diskutimit për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ka një varg problemesh që po shfaqen në terren që kanë të bëjnë me ndihmën e parë që i duhet dhënë popullsisë së përmbytur deri te  verifikimi i dëmeve në ushqim, në të mbjella e sidomos në bagëti”, tha ai.
Në kushtet kur përmbytjet në Qarkun e Shkodrës kanë shkuar në ditën e dhjetë të tyre, PS ka intensifikuar mjaft deklaratat e saj duke kërkuar që të merren masa edhe më të thella që të përballohet situata. Socialistët në Tiranë kanë kërkuar që prokuroria të nisë hetimet për atë çfarë shkaktoi këtë situatë në Shkodër. Në zonat e përmbytura opozita ka ngritur një shtab emergjence, i cili punon çdo ditë në zonat e përmbytura duke shpërndarë ndihma, por edhe duke evidentuar ku janë problemet më të rënda. Nga ana tjetër, gjatë momenteve, në takimet me banorët e këtyre zonave Rama vlerësoi si mjaft pozitive faktin që më në fund aty kanë mbërritur ndihma në ushqim dhe veshmbathje. “është gjë e mirë, tha Rama, sepse njerëzit duhet të marrin diçka. Sigurisht që ky është treguesi i një organizimi të çoroditur e të pamjaftueshëm, megjithatë ne do shkojmë kudo që pastaj ata të vijnë dhe të sjellin ushqime”. Më tej biseda e kreut socialist është fokusuar te mungesa e ujit të pijshëm, ku banorët i bënë me dije se është një ndër elementët që mungon më shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›