E Enjte, 5 Nëntor 2026

KESH përzgjedh Shkodrën për vendosjen e lules së parë që prodhon energji nga dielli

Energjia diellore është tashmë një energji më e zgjuar. Imagjinoni një energji të pastër për shtëpinë, shkollën apo biznesin tuaj që është eficiente.

Kjo është “SmartFlower” (Lule e zgjuar), sistemi i integruar diellor i frymëzuar nga natyra që kap rrezet e diellit gjatë ditës dhe prodhon energji të rinovueshme.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka përzgjedhur qytetin verior, Shkodrën për vendosjen e kësaj pajisjeje inovative.

Kreu i KESH-t, Benet Beci shprehet për ATSH se Shkodra u përzgjodh pasi është një qytet inovator dhe rrethohet nga burimet që KESH menaxhon.

“Gjithmonë kemi marrë nga energjia pozitive e Shkodrës dhe e shkodranëve, ndaj si KESH vendosëm që lulen e parë në Shqipëri që prodhon energji nga dielli, t’ia propozojmë Bashkisë, që ta vendosim aty në Shkodër. Vërtet nuk është një lulebore, por një luledielli smart që prodhon energji të pastër”, u shpreh Beci.

“SmartFlower” ((Lule e zgjuar) gjeneron deri në 40% më shumë energji falë karakteristikave inovatore. Është një zgjidhje e plotë diellore me një instalim të thjeshtë.

Beci tha se kemi diskutuar për disa vende se ku mund të instalohet “SmartFlower” Ai shtoi se është krijuar mundësia për marrjen e sugjerimeve nga vet banorët e Shkodrës, përmes një sondazhi në faqen e KESH në “Facebook” për vendin ku mund të instalohet SmartFlower.

Propozimet deri tani janë në sheshin e ri të Shirokës, lulishten pranë gjimnazit “28 Nëntori”, lulishten pranë Urës së Bunës, në Piacë dhe pranë Bashkisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›