E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë taksapaguesit e mëdhënj brenda muajit maj do të pajisen me kasën fiskale

Deri në fund të këtij viti parashikohet që i gjithë biznesi në vendin tonë të pajiset me kasat fiskale. Fillimisht do të bëhet e mundur pajisja me kasa fiskale e biznesit të madh në qytetet kryesore Tiranë dhe Durrës dhe pasi të ketë përfunduar procesi për biznesin e madh, do të fillojë edhe pajisja me kasa fiskale e biznesit të vogël. Ekspertë të financave sqarojnë se pajisja me kasa fiskale do të funksionojë normalisht, pavarësisht pretendimeve të biznesit se ka probleme në furnizimin me energji elektrike. Gjatë periudhës kur nuk ka energji elektrike, biznesi do të përdorë metodat alternative si faturat e dorës, apo alternativa të tjera dhe në rastet kur gjatë kontrollit do të gjenden parregullsi, atëherë do të ketë penalizime për biznesin. Në bazë të vendimit për pajisjen e biznesit me kasa fiskale, tatimpaguesit, të cilët shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme, kuponin tatimor. Personat, juridikë dhe fizikë, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet. Vendimi parashikon që brenda periudhës nëntor 2008 – maj 2009 të pajisen me kasa fiskale personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale tatimore, Tiranë. Ndërkohë afati i fundit për personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore është muaji dhjetor 2009. Pesë kompani, mes të cilave dhe shqiptare, janë përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Ministrisë së Financave për të pajisur me kasa fiskale biznesin në Shqipëri. Gjithsej numërohen rreth 12 mijë biznese të mëdha dhe rreth 70 mijë të vogla, të cilat do t'i nënshtrohen procesit të pajisjes me kasa fiskale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›