E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE:Zgjedhjet në Maqedoni,kusht për integrimin

Komisioni Europian ka reaguar në lidhje me kritikat e kreut të OSBE-ODIHR-it për nisjen e parakohshme të fushatës zgjedhore në Maqedoni si dhe mbi retorikën që përdorin disa kandidatë. Duke sqaruar se për momentin kjo kritikë ka ardhur nëpërmjet një interviste në media dhe jo në deklaratë zyrtare, zëdhënësja e Komisionerit Oli Rehn, Kristina Nagi është shprehur se në lidhje me nisjen e fushatës zgjedhore, ata mirëpresin faktin që misioni vëzhgues i OSBE - ODIHR-it po monitoron nga afër zhvillimet në vend. "Dua të konfirmoj se vlerësimi i këtij misioni mbi zgjedhjet e 22 marsit do të jetë i një rëndësie thelbësore. Ky vlerësim nuk do të kufizohet vetëm me ditën e zgjedhjeve por do të përfshijë sigurisht edhe vlerësimin e rregullsisë së fushatës zgjedhore gjithashtu", ka thënë Nagi. Komisioni Europian ka mirëpritur edhe takimin e liderëve të partive politike, teksa ka ripërsëritur rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për rrugën europiane të Maqedonisë. "Ne kemi besim se të gjithë personat përgjegjës janë krejtësisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në lidhje me të ardhmen europiane të vendit. Në këtë kontekst, mirëpresim takimin e liderëve të partive politike për të diskutuar mbi detajet e procedurave të ditës së zgjedhjeve", theksoi zëdhënësja Nagi. Në përfundim, zëdhënësja e Komisionerit për zgjerim, tha se kreu i delegacionit të BE-së në Shkup mban kontakte të rregullta me autoritetet në vend si edhe me të gjithë kandidatët për zgjedhjet presidenciale dhe me liderët e partive kryesore, duke monitoruar nga afër procesin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›