E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR: Jo tensione në veri të Kosovës

Gjenerali francez i KFOR-it Mishel Jakovlef ka deklaruar se në veri të Kosovës ka grupe të caktuara të njerëzve që duan të shkaktojnë dhunë dhe tensione. Jakovlef, incidentet e fundit në veri të Mitrovicës i quan të izoluara dhe i krahason me dhunën urbane në qytete të ndryshme europiane. Gjenerali francez Jakovlef nuk ka dhënë një vlerësim të saktë lidhur me përfshirjen e strukturave paralele serbe në incidentet në Mitrovicë, por ka theksuar se ushtarët e KFOR-it që veprojnë në zonën e përgjegjësisë së tij, do t'i përgjigjen në formën e duhur tentativave për përleshje. "Ka një tendencë të mobilizimit të njerëzve të ri, të cilët nuk kanë çfarë të bëjnë, të cilët pinë shumë, të cilët duan të kenë përleshje, e të cilët mendoj se u ngjajnë huliganëve të futbollit në Angli, por nuk jam i bindur se këta persona veprojnë në bazë të planeve të strukturave paralele. Këta njerëz dinë shumë mirë të terrorizojnë një pronar të ndonjë dyqani, duke ia thyer xhamat apo duke ia vënë zjarrin pronës së tij. Njerëzit e mi nuk do të friksohen nga ata, kështu që nëse ata duan të ndeshen, do të ndeshen me ne", shprehet Jakovlef. Pas tensionimit të situatës në veri të vendit, trupat e NATO-së kanë marrë masat e sigurisë dhe në bashkëpunim me forcat policore të Kosovës dhe ata të misionit të Bashkimit Europian - EULEX, mbajnë nën kontroll situatën e sigurisë atje. Gjenerali francez konsideron se shtimi i forcave të sigurisë në veri nuk është zgjidhja e duhur për periudhën afatgjatë. Ai thekson se përderisa nuk ka vullnet për pajtim, janë të mëdha gjasat për krijimin e një konflikti të madh ndërmjet grupeve që veprojnë në veri. Përfaqësues të institucioneve kosovare, ndërkohë, thonë se qëllimi kryesor i personave që shkaktuan incidentet në veri, është sfidimi dhe degradimi i EULEX-it dhe i institucioneve kosovare. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, pranon se prapa incidenteve që ndodhin në veri, nuk qëndron gjithmonë motivi ndëretnik, por sipas tij, shumë përleshje shkaktohen nga grupe të caktuara shqiptarësh apo serbësh. Qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë pjesa më sfiduese në aspektin e sigurisë, sikurse për mekanizmat kosovare, ashtu dhe për ata ndërkombëtare, duke marrë parasysh kundërshtimin e banorëve serbë të pjesës veriore të qytetit, kundrejt institucioneve të qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›