"Ora e Debatit",sfidat e politikës për 2009-ën

"Ora e Debatit",në emisionin e parë për 2009-ën u fokusua në zhvillimet kryesore gjatë 2008-ës në Shqipëri dhe sfidat e 2009-ës. Për dy orë, në emisionin drejtuar nga gazetari Alfred Peza, deputetja Dade, këshilltarja e kryeministrit Guxholli si dhe gazetaret Meço, Gjoni dhe Zaimi diskutuan për arritjet dhe dështimet e qeverisë e opozitës në vitin që lamë pas. Ndryshimet kushtetuese, si një "konsensus" mes forcave kryesore politike u konsideruan si dështim i mazhorancës dhe opozitës. Një vit prove u quajt 2009-ta si për opozitën edhe mazhorancën, pasi do të jenë përballë zgjedhësve të cilët do të votojnë ose jo programet, mbajtjen e premtimeve, idetë politike dhe ekipin me të cilën këto forca do të paraqiten në zgjedhje. Po ashtu, një tjetër sfidë për të gjithë politikën është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për të garantuar një qeverisje të votuar vërtet nga elektorati.Këshilltarja e kryeministrit Suzana Guxholli konsideroi si sukses të qeverisjes së 2008-ës ftesën për në NATO, nënshkrimin e MSA-së, luftën ndaj korrupsionit, planet ekonomike dhe ndryshimet legjislative. Sipas saj kryeministri Berisha është rast i veçantë lidershipi në politikë. Arta Dade nuk njohu asnjë arritje të qeverisë, pasi sipas saj qeverisja aktuale ka thelluar më tej varfërinë dhe korrupsionin. Deputetja e PS-së deklaroi se "Ardhja në pushtet e Edi Ramës solli një dinamikë të re në parti dhe është për të ardhur keq që PD-ja nuk ka ndryshuar ende kryetarin e saj". Dade shtoi se "PS-ja ka sjellë një frymë të re të të bërit opozitë dhe me ardhjen e zgjedhjeve PS-ja do jetë larg konfliktualitetit dhe më pranë progameve për një fitore bindëse". Arta Dade deklaroi se PS-ja ka një platfromë zgjedhore dhe një plan qeverisës më të cilin do hyjë në zgjedhje, e cila është në fazën përfundimtare të saj. Gazetarja Sonila Meço vlerësoi si arritje të qeverisë rritjen e ekonomisë, përmirësim në luftën kundër krimit të organizuar, planeve të mira energjitike si dhe mbledhjen e taksave. "Qeveria shqiptare ka qenë një nxënesë shume e mirë e FMN-së, por më shqetëson fakti që të gjitha fondet e buxhetit të shtetit po i merr infrastruktura", u shpreh ajo. Sipas Meços "Pësimet e kësaj qeverie nuk po kthehen në mësime. Çështja e pronave është dështim i qeverisë. Po ashtu edhe çështja e ish-të përndjekurëve nuk ka marrë zgjidhjen e duhur". Sa i përket opozitës, sipas gazetares sukses i PS-së është turi i Ramës dialog me Shqipërinë". Si dështim të opozitës ajo konsideroi faktin se "Opozita nuk ka shfrytëzuar instrumentet legjitime për suksesin e saj. Së pari nuk i mëshoi faktit se si po shkon Berisha në luftën ndaj korrupsionit, dhe goditje të dytë për opozitën do veçoja prishjen e marrëdhënieve me LSI-në". Sonila Meço nënvizoi se "2009-ta është një vit prove. Provë për qeverinë, nëse do mbahen premtimet ,por edhe për gjithë politikën nëse do arrihet në një model që do të sjellë qëndrueshmëri në zhvillimin ekonomik". Analistja Edlira Gjoni i konsideroi arritje "surprizë" të opozitës tolerancën dhe maturinë e opozitës si në çështje si reforma zgjedhore, lejimi i miratimit për ligjin e dosjeve dhe bashkëpunimi i saj me pozitën në ditët e para pas tradegjisë së Gërdecit. Sipas Gjonit sfidë e politikës për 2009-ën është periudha pas zgjedhore. "Mazhoranca nëse nuk fiton jam e sigurt që do jetë një kalvar ankimesh dhe lufte, por edhe opozita nuk mund të pranojë lehtë një humbje të zgjedhjeve", shtoi ajo. Në lidhje të drejtpërdrejtë gazetarja Menada Zaimi e konsideroi ligjin e dosjeve dështim për mazhorancën, dhe mungesën e konsensusit nga opozita po për këtë ligj si një tjetër dështim. "Dështim tjetër të opozitës do quaja ligjin për prokurorinë, që e konsideroj lëshim të PS-së ndaj mazhorancës", u shpreh ajo.Pyetjes së sondazhit nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare fiton e majta apo e djathta, 60.4% e votuesve zgjodhën fituese të majtën dhe 39.6% të djathtën.