KFOR: Liria e lëvizjes të arrihet pa asnjë kusht

KFOR-i bëri të qartë se për misionin e tij nuk është i pranueshëm asnjë kusht në lidhje me lirinë e lëvizjes.
“Liria e lëvizjes për të gjitha palët nënkupton organizatat ndërkombëtare, ashtu sikurse edhe për të gjithë popullin e Kosovës, e kjo duhet të arrihet. Liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in, për shembull për të furnizuar ose për diçka të tillë, por jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme" – bën të ditur KFOR nëpërmjet deklaratës për shtyp.
"Komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës në takimet më të fundit se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për çdokënd në çdo kohë dhe kjo është shumë e qartë. Asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki. Liderët serbë të veriut të kosovës edhe pas disa takimeve qoftë me KFOR-in, qoftë me vetë presidentin Tadiç, nuk kanë pranuar të heqin barrikadat dhe kanë ofruar liri të lëvizjes vetëm për KFOR-in, por jo edhe EULEX-in.