E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, bilanci i viktimave arrin në 279 të vdekur

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja turke “Zaman”, e cila thekson se numri i të vdekurve rrezikon të shtohet me qindra të tjerë.

Gjatë ditës së sotme skuadrat e shpëtimit kërkuan mes rrënojave për qindra persona që besohet se kanë mbetur të izoluar. Ndërkohë që zëvendëskryeministri turk, Bulent Arënç, njoftoi sot se bilanci i viktimave ka arritur në 279 të vdekur, Ministria e Arsimit tha se në mesin e tyre janë edhe 22 mësues dhe tetë nxënës.

Për në Van dhe Erxhish, zonë e cila është shtrat i ngrohtë edhe për PKK-në kurde, ka udhëtuar edhe kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdoan.  Ai u shpreh në ankth për fshatrat ku skuadrat e shpëtimit nuk kishin arritur ende. “Duke qenë se shtëpitë janë ndërtuar me baltë tullash, ato janë më të ndjeshme ndaj tërmeteve. Më duhet të them se pothuajse të gjitha shtëpitë në fshatra të tillë janë shkatërruar”, tha Erdoan gjatë një konference për shtyp duke paralajmëruar për më shumë viktima.

Më pas, Erdoan u rikthye në Ankara ku drejtoi mbledhjen e qeverisë. Ai tha se Turqia mund t’ia dalë vetë, por falënderoi të gjitha shtetet që i kanë ofruar ndihmë, përfshirë edhe Armeninë dhe Izraelin, shtete të cilat kanë marrëdhënie të tendosura me Turqinë.

Drejtori i qendrës sizmilologjike, Profesor Mustafa Erdik, tha dje se tërmeti ka shkaktuar dëmet më serioze në Van e Erxhish dhe theksoi se numri i viktimave mund të shkojë deri në 1 000 të vdekur.

Erdik tha se rreth 80 ndërtesa disa katëshe janë rrafshuar në rajon. Në jug-lindje të Turqisë janë dërguar menjëherë rreth 5000 tenda dhe rreth 11 000 batanije, ushqime, medikamente etj.

Turqia bën pjesë në zonat me aktivitet të lartë sizmiologjik. Dy tërmete të fuqishme të rëna në vitin 1999 vranë më shumë se 20 000 persona në veri-perëndim të Turqisë. Tërmeti i fundit i madh i rënë në Van është ai i vitit 1976, i cili vrau më shumë se 5000 persona.

/Start/F. Prroni/

                                                                                             2011-10-24 18:10
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›