Serbia lobon për ndarjen e Kosovës

Serbia po zhvillon negociata intensive me Gjermaninë dhe SHBA-në për statusin e Kosovës dhe ndarjen e saj, duke pretenduar veriun e Kosovës.
Kjo bëhet e ditur nga burime qeveritare serbe për mediat e huaja dhe ato vendore. Sipas tyre, autoritetet e Beogradit kanë ofruar si zgjidhje përfundimtare ndarjen e Kosovës, mirëpo siç thuhet ky propozim nuk ka qenë i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare.
“Është e vërtetë se po bisedohet rreth kësaj, mirëpo negociatat janë shumë të vështira. Po kërkohet zgjidhje me fuqitë më të mëdha botërore, dhe jo me autoritetet e Kosovës”, ka theksuar një burim zyrtar.
Presidenti serb Boris Tadiç sot ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjermani, dhe se lajmi i publikuar nga mediat është pikërisht mbi këtë temë. Nga ana tjetër, mësohet se janë ftohur marrëdhëniet dhe kanë lindur mosmarrëveshje midis kryetarëve të katër komunave me serb në veriun e Kosovës dhe presidentit Tadiç. Mosmarrëveshjet kanë dalë në sipërfaqe nga ana e negociatorit serb, Borislav Stefanoviç, i cili deklaroi se kryetarët e komunave nuk dijnë se çfarë kërkojnë dhe se ata nuk duhet t`ia kthejnë shpinën Beogradit zyrtar.