KFOR: Çarmatimi në veri s`është prioritet

Çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës aktualisht për KFOR-in nuk paraqet prioritet. Zyrtarë të qeverisë kanë kërkuar ndihmën e këtij misioni për çarmatim, por në KFOR thonë se aktualisht i duhet dhënë shansi procesit politik.
Autoritetet kosovare kërkojnë çarmatimin e individëve dhe siç i quajnë ata grupeve kriminale serbe në veri, por për këtë iu duhet ndihma e misioneve ndërkombëtare, në veçanti e KFOR-it.
Por, KFOR-i aktualisht nuk është i gatshëm që të ndërmarrë aksion çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës, me gjithë pohimet për arsenal të madh armatimi ilegal, transmeton REL.
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter, thotë se i duhet dhënë shansi procesit , politik, para se të shqyrtohet një çarmatim eventual.
“Kjo nuk është çështje e kohës aktuale, është një çështje në plan afatgjatë, ne do ta shqyrtojmë atë. Por, jo në plan afatshkurtër. Ne duhet të përqendrohemi në procesin politik, në procesin paqësor dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ecur tani”, thotë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter.
Që nga ndërhyrja e njësive speciale të Policisë së Kosovës për të vënë kontroll në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit, ndërhyrje kjo që u pasua me vrasjen e një polici kosovar nga snajperistët serbë, djegien e pikës kufitare në Jarinë, vendosjen e bllokadave rrugore e të shtënat në drejtim të KFOR-it, misioni paqeruajtës ka marrë rolin e negociatorit në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Në këtë rol, një javë më parë, KFOR-i arriti një marrëveshje për të qetësuar situatën e tensionuar në veri, plan ky, që ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.
Por, KFOR-i insiston në qetësimin e plotë të situatës, para se të ndërmerret ndonjë hap tjetër, siç është çarmatimi.
“Ne jemi gjatë gjithë kohës në diskutime me të dy palët, duke diskutuar të gjitha gjërat. Por, aktualisht ai (çarmatimi) nuk është prioritet”, thotë Uihter.
Në pjesën veriore të Kosovës dhuna ka qenë e pranishme jo rrallë herë, ndërsa posedimi i paligjshëm i arsenalit të madh të armatimit nuk është fshehtësi.
Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, serbë të armatosur patën djegur pikat kufitare 1 dhe 31, ndërkaq, në përpjekjet e autoriteteve për të kthyer Gjykatën e uzurpuar të Qarkut në Mitrovicë, që vrarë një polic i UNMIK-ut.
Kryesit e krimeve nuk janë sjellë ende para drejtësisë.