E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove perfitimet e vendosjes se reciprocitetit me Serbine

Bllokimi i mallrave serbe nuk ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Përkundrazi, nga vendosja e masave të reciprocitetit ka pasur vetëm efekte pozitive - është rritur konsumi i produkteve vendore që ka rezultuar edhe me rritje të punësimit dhe të buxhetit të Kosovës.

Vlerësimi vjen nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, i cili në një intervistë për Albanian Screen konfirmon respektimin e plotë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit nga të gjitha bizneset.

Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik na thotë: “Kemi parë gjatë këtyre ditëve se tregu i Kosovës është i furnizuar mirë. Nuk kemi ngritje të theksuar të çmimeve, qytetarët janë të kënaqur me nivelin e furnizimit në treg, ndërkohë të gjithë operatorët në treg, të gjitha bizneset kanë respektuar dhe po e respektojnë vendimin e qeverisë për reciprocitet. Gjatë këtyre ditëve, ajo çka kemi parë është gjithashtu një rritje e konsumit të produkteve vendore, pra një rritje e produktit vendore mbi 10% që rezulton me rritje të punësimit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të buxhetit në tërësi”.

Kompanitë kosovare kanë gjetur menjëherë rrugë të reja të furnizimit dhe nuk kanë lejuar asnjë mungesë të artikujve në tregun e Kosovës.

“Ndërmarrjet tona gjatë këtyre ditëve kanë treguar fleksibilitet për t’u orientuar, për të fituar apo kërkuar tregje të reja ku mund të furnizohen. Furnizimi i tregut ka treguar se kjo nuk është aspak problematike .Kosova ka qëndrueshmëri, Kosova është e furnizuar mirë dhe ka fuqinë blerëse .Fuqinë blerëse do të shfrytëzojnë në tregjet  të cilat ju ofrojnë produkte të cilësisë së lartë dhe produkte të cilat janë të pranueshme për tregun tonë” shton Beqaj.

Zëvendësimi i mallrave serbe ka filluar të bëhet pa asnjë problem nga vendet e rajonit dhe Turqia .Gjatë në vizite në Shqipëri përfaqësuesit e biznesit dhe Qeverisë së Kosovës u kanë bërë thirrje bizneseve shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë moment të volitshëm për të zëvendësuar mallrat serbe.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›