E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i mbështet të drejtën për protestë, thërret për qetësi

Një ditë para mbajtjes së protestës së paralajmëruar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Mitrovicë, KFOR-i u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që protesta të jetë paqësore, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndërhyjë nëse do të ketë veprime të dhunshme.

Nëpërmes një deklarate për shtyp, KFOR-i mbështet lirinë e shprehjes dhe të grumbullimit të njerëzve si të drejta themelore të njeriut, po ashtu si shenjë dalluese e demokracisë.

“Në këtë kontekst, ne i shohim demonstratat dhe manifestimet edhe si obligim për qytetarët, të cilët kujdesen për vendin e tyre”. Por KFOR-i i inkurajon të gjithë qytetarët që ta përdorin këtë të drejtë në mënyrë paqësore dhe të qëndrojnë larg nga çfarëdo grupi apo aktiviteti të dhunshëm.

Trupat e KFOR-it theksojnë se do të jenë në vend për të mbrojtur të gjithë protestuesit paqësorë, por gjithashtu do të marrin masa të duhura për të kundërshtuar çfarëdo veprimi të dhunshëm.

Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) e UÇK-së i ka ftuar qytetarët e Kosovës që nesër të marrin pjesë në një protestë paqësore në Mitrovicë, me moton “Të mbrohet sovraniteti i Kosovës”, për të kundërshtuar shkeljen e vazhdueshme të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›