KFOR-i me mision të qartë në Kosovë
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler gjatë një takimi të mërkurën biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë, pozitën e bashkësive fetare, si dhe afirmimin e kultivimit të tolerancës ndërfetare.
Me këtë rast, myftiu Tërnava falënderoi gjeneralin për kontributin e KFOR-it në ofrimin e sigurisë për Kosovën. Ai ka thënë se prania e KFOR-it në Kosovë, përpos që krijon një ambient të sigurt në Kosovë , ka stabilizuar edhe rajonin e Ballkanit.
Nga ana e tij, gjenerali Buhler ka thënë se misioni i KFOR-it është i qartë dhe ka të bëjë lidhur me sigurinë për të gjithë banorët e Kosovës.
Gjatë këtij takimi, myftiu Tërnava njoftoi gjeneralin Buhler për sfidat me të cilat përballen bashkësitë fetare si mungesa e ligjit që rregullon pozitën juridike të bashkësive fetare, mungesën e ligjit për kthimin e pronave të tjetërsuara gjatë sistemi monist, si dhe politizimin e objekteve fetare, siç është rasti me xhaminë e Ibrit në Mitrovicë të cilën e shkatërruan forcat serbe më 1999.
Myftiu Tërnava ka thënë se ndërtimi i xhamisë së Ibrit do jetë një shenjë e krijimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve fetare e etnike të Mitrovicës.
“Toleranca, mirëkuptimi, harmonia e respekti janë parime mbi të cilat duhet ngritur të ardhmen e popullit të Kosovës”, ka thënë ai.