E Diel, 1 Nëntor 2026

Qërim hesapesh me armë mes bandave në veri

Nga Express më 04 maj 2011 në ora 20:15

Të shtëna me armë zjarri, të cilat kanë zgjatur për disa minuta, janë dëgjuar në “Lagjen e boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, ka bërë të ditur policia rajonale në Mitrovicë.

Incidenti ka ndodhur pas mesnatës midis të martës dhe mërkurës. Zyrtari për informim i policisë rajonale në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe aty ka gjetur 11 gëzhoja të kalibrit 7.62 milimetra, për të cilat besohet se janë drejtuar në ajër.

“Një veturë e dyshuar, pronë e një serbi, është marrë nga policia për ekzaminim dhe më vonë i është kthyer pronarit. Ende nuk ka të dyshuar për incidentin, ndërkohë që rasti po hetohet nga Njësia e Krimeve Serioze pranë Drejtorisë rajonale të policisë”, ka thënë Zahiti për Kosovapress.

Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes ka dal edhe prokurori, i cili rastin e ka cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Edhe Fevzi Beqiri, banor i kësaj lagje, ka thënë se janë dëgjuar të shtëna nga armë automatike dhe nga revolja.

“Pas të shtënave, disa të rinj kanë vërejtur dy persona që po iknin në drejtim të qendrës së pjesës veriore të qytetit me një automjet të tipit “Golf”.
Personat që po iknin, më parë janë përplasur me automjetin e tyre në dyert e hyrjes të një shtëpie të një boshnjaku, në udhëkryqin kryesor të lagjes”, ka thënë Beqiri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›