Peçanit i shpallet i lirë vendi i punës

Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peçani, shumë shpejt mund të mbesë pa punë, sepse KQZ-ja ka marrë vendim që atij dhe drejtoreshës së deritashme të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike t’ua shpallë vendet e lira të punës. Kësaj radhe KQZ-ja pritet që të shpallë konkurs edhe për një zëvendës të kryeshefit ekzekutiv të SKQZ-së, post ky që nuk ekzistonte në përbërjen aktuale të organit për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Në anën tjetër, anëtarët e KQZ-së dhe ish-udhëheqësit e saj kanë shfaqur drojën se politika do të përzihet në përzgjedhjen e kryeshefit, sikurse kishte ndodhur edhe dy vjet më parë. Sipas tyre, aty ku përzihen duart e politikës, aty institucioni e pëson dhe kjo është më se e vërtetë. Ndërkaq, për ish- kryetarin e KQZ-së, Zait Xhemajli, përzierja e politikës në përzgjedhjen e kryeshefit të SKQZ-së nuk përbën risi.
“Se politika mund të përzihet në këtë çështje, kurrfarë risie nuk është. Kështu ka qenë edhe më përpara”, ka thënë Xhemajli, duke shtuar se ky institucion duhet të depolitizohet përfundimisht.
“As anëtarët e KQZ-së nuk duhet të jenë nga partitë politike, aty duhet të jenë njerëz profesionalë dhe të pavarur, në mënyrë që gjërat të shkojnë përpara. Derisa të mos depolitizohet KQZ gjithmonë ekziston rreziku potencial që politika të përzihet dhe të ketë ndikim”, ka thënë Xhemajli.
Nga ana tjetër, edhe anëtari i KQZ-së, Fadil Maloku, ka shfaqur drojën se politika do të përzihet në çështjen e zgjedhjes së sekretarit të KQZ-së. “Kam shumë frikë dhe shumë rezerva se politika do të përzihet. Natyrisht kjo do të bëhet për faktin se në jemi demokraci e papjekur dhe e pakonsoliduar. Gishtat e politikës në momentin kur përzihen, atëherë institucioni e pëson dhe kjo është më se e vërtetë”, ka thënë Maloku.
Ai ka thënë se ky konkurs vjen në kuadër të frymës reformuese të procesit zgjedhor dhe ndryshimeve që priten të bëhen jo vetëm në institucionin e Komisionit Qendror Zgjedhor, por në frymën e përgjithshme. Sipas tij, pakënaqësia e madhe ka ardhur nga të gjitha anët për procesin zgjedhor gjithashtu pas ballafaqimit me probleme të shumta në procesin zgjedhor dhe administrimi i dobët i zgjedhjeve.
Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Blerim Burjani ka thënë se parimisht nuk është dashur të ketë ndërhyrje nga politika, sepse rregullat e shërbimit civil janë të qarta.
“Meqenëse pozicioni i takon shërbimit civil të Kosovës dhe ai duhet të merret me procedurat të cilat rregullohen me Ligjin për shërbimin civil të Kosovës, atëherë do të jetë e mundshme që të bëhet një panel në bazë të rezultateve që tregohen nga kandidatët dhe të bëhet përzgjedhja e kryeshefit të SKQZ”, ka thënë Burjani.
Sipas tij, për shumë arsye kësaj here do të jetë me vështirë se herën e kaluar të bëhet përzgjedhja e kandidatit të caktuar, për shkak që në këtë institucion po bëhet një proces krejt tjetër.
“Është reformimi institucional dhe pritet që të ketë zhvillime pozitive. Besoj që edhe zhvillime të tjera që do ta përkrahin këtë institucion, që në të ardhmen të duket një institucion ashtu si duhet të jetë në saje të ligjit i pavarur dhe natyrisht të zbatojë rregullat në fuqi që vlejnë për KQZ”, ka thënë Burjani.
Edhe anëtari më i ri i KQZ-së nga Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se mënyra se si është marrë vendimi për ta shpallur konkursin politika do ta bëjë të pamundurën që t’i sjellë njerëzit e saj në këto poste.
“Na konsiderojmë që KQZ ka nevojë për reformim të thellë e jo të ndërrohen dy, tre njerëz dhe të thuhet se u krye reforma. Një gjë e tillë, përkundrazi, synon të mbulojë pak a shumë veprimtarinë e deritanishme të KQZ-së”, ka thënë Krasniqi.
Konkursi antiligjor
Jozyrtarisht gazeta “Zëri” merr vesh se nuk janë duke u respektuar procedurat për shpalljen e konkursit.
“Kandidatëve nuk iu është bërë vlerësimi i punës dhe nuk do të duhej t’u shpallej i lirë vendi i punës pa u bërë vlerësimi”, ka thënë një zyrtar brenda KQZ-së. (Zeri)