Obiliqasit prapë protestojnë
Reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike dhe dëmet e mëdha që po u shkakton Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i ka shtyrë qytetarët e Obiliqit që të protestojnë të mërkurën në qendër të qytetit dhe para Termocentralit Kosova B. Protestuesit kërkuan që të ndalohet politika diskriminuese e drejtuesve të KEK-ut dhe Obiliqi si një komunë ku prodhohet energjia mos të përfshihet në reduktime.
Sikurse në protestat e mëparshme, qytetarët kanë theksuar se KEK-u është duke ndotur me të madhe ambientin, si pasojë e të cilit popullata kërcënohet nga sëmundje të shumta.
Koordinatori i protestës, Ramadan Hashani tha se disa të dhëna të grumbulluara në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, kanë treguar se për 35 vite janë 53 raste të vdekjes nga kanceri, ndërsa me këtë sëmundje vdekjeprurëse që vjen nga ndotja e ambientit janë të prekur aktualisht disa persona.
“Organizatat joqeveritare në shenjë respekti për qytetarët e Obiliqit, por edhe me kërkesën e tyre, jemi tubuar në këtë protestë qytetare për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë e madhe që e kemi ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Qeverisë për energjetikën, si dhe për trajtimin që po u bëhet qytetarëve të komunës së Obiliqit”, ka thënë ai.
Kurse Qemajl Hashani tha se është e padurueshme që një vend si Obiliqi, i cili bart të gjitha të këqijat nga prodhimi i energjisë, të mbetet në terr.
“Ndotja e ambientit na ka shty të vijmë në protestë, nuk është protesta e parë, por janë protestat edhe të mëhershme, ku justifikohet në vend të shpërblimeve me reduktim të rrymës të qytetarëve tanë. Dhe atë mund të them me plotë përgjegjësi se si komunë i përmbushim disa kritere rreth pagesave”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Bujar Mihani nga Këshilli Veprimit Rinor Lokal ka thënë se rreth 80 për qind e popullatës së Obiliqit janë pagues të rregullt të energjisë, ndërsa reduktimet e KEK-ut janë 3 orë me rrymë dhe 3 pa rrymë.
“Sot kemi dal të protestojmë, sepse i kërkojmë të drejtat tona. Vet fakti që jemi në këtë protestë domethënë jemi të dëmtuar prej korporatës, prej vet KEK-ut. Kjo është diçka që po i bëhet padrejtësi qytetarëve të Obiliqit, pasi e vetmja komunë që është 3 me 3. Sipas informatave që i kam prej kryetarit 70 deri në 80 për qind e paguajnë rrymën, mirëpo furnizimi është 3 me 3”, ka thënë Mihani.
Komuna e Obiliqit vazhdon të diskriminohet nga KEK-u, pasi ky i fundit jo vetëm që ndot ambientin, por as nuk furnizon me rregull qytetarët me energji elektrike. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e banorëve, por edhe të vetë udhëheqjes komunale, e cila ka përgatitur padi kundër KEK-ut.
Protesta e sotme është organizuar nga Iniciativa Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit (IQMM), Organizata Miqtë e Tokës dhe nga Këshilli Veprimit Rinor Lokal (KVRL). /kosovapress/