E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i merr nën kontroll barrikadën në Jagnjenicë

 Përmes një njoftimi për media, KFOR-i bën të ditur se sot në mëngjes, pak pas orës 9:00, KFOR-i me sukses e ka marrë nën kontroll bllokadën rrugore në Jagnjenicë, në komunën e Zubin Potokut. Gjatë këtij aksioni, trupat e KFOR-it  kanë përdorur makineri të specializuar për ti larguar automjetet në barrikadë.

Cisternat me ujë janë në vendngjarje për të parandaluar demonstruesit nga reagimet e  dhunshme kundër trupave të KFOR-it. Mediat bëjnë të ditur se gjatë operacionit, demonstruesit kanë përdorur armë të vogla zjarri dhe si pasojë janë plagosur dy ushtarë të KFOR-it.

KFOR-i gjithashtu  konfirmon përdorimin e izoluar të plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe sprajit me piper. Kjo është bërë si përgjigje kundër reagimeve të demonstruesve. Operacioni është zhvilluar në përputhje të plotë me kornizën e misionit të KFOR-it. Përfaqësuesi i komunës së Zubin Potokut është kontaktuar nga KFOR-i, mirëpo ai nuk ka qenë i gatshëm që të flasë.Misioni i KFOR-it është që të ofrojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe të sigurojë liri të lëvizjes, përfundon njoftimi i cituar nga “Koha Ditore”. 

 

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›